Z. Bauman lindi në Poloni më 1925; prindërit e tij u arratisën në Bashkimin Sovjetik pas pushtimit gjerman të 1939-ës. Më 1968, pasi u pushua nga puna si mësues dhe u përjashtua nga Partia Komuniste bashkë me mijëra hebrej të tjerë në vigjilje të luftës 6-ditore arabo-izraelite, ai u largua për në Britani; dha mësim në universitetin e Leeds-it, ku tani është profesor emeritus i sociologjisë. Vepra e tij është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare – mes tyre edhe me çmimin “Princi i Asturias” (Spanjë), më 2010.
Ju thoni se përparimi, progresi është një mit, pasi njerëzit nuk besojnë më se e ardhmja do jetë më e mirë se e kaluara.
Gjendemi në një periudhë “interregnum-i”, një ndërkohe mes dy mbretërish; mes një kohe ku kishim sigurira dhe një tjetre ku mënyrat e vjetra të të bërit të gjërave nuk funksionojnë më. Nuk e dimë se çfarë do ta zëvendësojë këtë. Po eksperimentojmë me mënyra të reja të zgjidhjes së problemeve. Spanja i vuri gjërat në pikëpyetje me anë të lëvizjes së 15 Majit (15M), ku njerëzit zaptuan hapësirat publike, duke debatuar dhe duke u përpjekur t’i zëvendësonin procedurat parlamentare me një lloj demokracie të drejtpërdrejtë. Kjo nuk zgjati shumë. Politikat e shtrëngimit të rripit (austeritetit) do të vazhdojnë, askush nuk mund t’i ndalë dot; megjithatë, mund të jenë relativisht efektive për gjetjen e mënyrave të reja për t’i bërë gjërat.
Keni argumentuar se lëvizjet popullore të ngjashme me “15M” dhe lëvizjen globale Occupy dinë “sesi ta çajnë rrugën, por jo sesi të krijojnë diçka solide.”
Njerëzit i lënë mënjanë dallimet e tyre për një farë kohe në sheshet publike për një qëllim të caktuar. Nëse ky qëllim është negativ, për t’u zemëruar me dikë p.sh., atëherë ka më shumë shanse për sukses. Në njëfarë mënyre, mund të kishte qenë një shpërthim solidariteti, por shpërthimet janë shumë të fuqishme dhe mjaft jetëshkurtra.
Ju jeni skeptik për mënyrën me të cilën njerëzit protestojnë në mediet sociale, për të ashtuquajturin “aktivizëm të kolltukut” dhe thoni se interneti po na budallalleps me zbavitje të lira, me çmim të ulët. A do të thoshit se rrjetet sociale janë opiumi i ri për popullin?
Çështja e identitetit ka ndryshuar… nga diçka me të cilën lindje, te një detyrë për t’u kryer: duhet të krijosh bashkësinë, komunitetin tënd. Por bashkësitë nuk krijohen dhe ti ose e ke një, ose nuk e ke. Ndërsa rrjetet sociale mund të jenë një zëvendësues, një surrogato e mirë. Ndryshimi mes një bashkësie dhe një rrjeti është se ti i përket një komuniteti, ndërsa rrjeti të përket ty. Ti e ndien se ke kontrollin mbi të. Mund të shtosh miq, ose t’i heqësh nëse dëshiron. Ti ke kontrollin mbi njerëzit e rëndësishëm me të cilët ke të bësh. Si rezultat, njerëzit ndihen pak më mirë sepse vetmia, braktisja janë frika e madhe e epokës tonë individualiste. Është kaq e lehtë të shtosh ose të heqësh miq në internet, sa njerëzit nuk arrijnë të përvetësojnë aftësitë e vërteta sociale për të cilat kanë nevojë kur del në rrugë, kur shkon në vendin e punës, kur hasesh me shumë njerëz me të cilët të duhet të ndërveprosh në mënyrë të ndjeshme. Papa Françesku – një njeri i madh – pasi u zgjodh, intervistën e tij të parë e bëri me Eugenio Scalfari-n, një gazetar italian që gjithashtu është edhe një ateist i vetëshpallur. Ky ishte një sinjal: dialogu i vërtetë nuk ka të bëjë me bashkëbisedimin me njerëz që besojnë të njëjtat gjëra si ti. Mediet sociale nuk na mësojnë sesi të dialogojmë, pasi është shumë e lehtë t’i shmangësh debatet dhe polemikat… Por shumica e njerëzve i përdorin mediet sociale jo për t’u bashkuar, jo për të zgjeruar horizontet por përkundrazi, për t’i krijuar vetes një zonë rehatie (“comfort zone”) ku zhurmat e vetme që dëgjojnë janë jehonat e zërave të tyre, ku gjërat e vetme që shohin janë pasqyrimet e fytyrave të tyre. Mediet sociale janë shumë të dobishme, na japin kënaqësi… ama janë një grackë.
Përktheu me shkurtime: Edion Petriti