Shporta e konsumit të familjeve shqiptare ka aq shumë varësi nga ushqimet, sidomos frutat dhe perimet, sa luhatjet në çmimin e një artikulli të vetëm mund të çekuilibrojë një nga treguesit më të rëndësishëm makroekonomikë, inflacionin.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar çmimet e frutave kanë pësuar ulje të ndjeshme pas rritjeve me ritme të larta vitet e kaluara, teksa për perimet rritja ka vijuar me ritme dyshifrore.
Çmimet e frutave u ulen me 0.4 për qind në muajin prill sipas të dhënave të INSTAT, ndërsa në prillin e vitit 2018 çmimi i këtij grupi ishte rritur me 7.7 për qind. Tregtarët me përvojë nga tregjet e pakicës shpjegojnë se këtë vit po shiten me çmime më të lira luleshtrydhet dhe mollët.
Këtë vit kishte një superprodhim me mollë vendi dhe me luleshtrydhe. Ata pohojnë se luleshtrydhja këtë sezon është shitur me gjysmën e çmimit të vitit të kaluar, ndërsa molla ka qenë gjithashtu më lirë.
Çmimet e perimeve dhe zarzavateve gjithashtu kanë vijuar rritjen në këtë fillim vit me ritme dyshifrore, në nivele shumë më të lartë se ritmet e një viti më parë.
Kulmi arriti në muajin janar, ku çmimi i perimeve dhe zavratëve u rrit me 36 për qind si pasojë e mungesës së furnizimit me qepë, patate dhe presh. Një kilogram nga këta artikuj kushtoi 120 lekë, gati dyfishin në raport me vitin 2018.
Gati gjysma e shportës së mallrave të konsumit dominohet nga ushqimet, teksa brishtësia e prodhimit vendas ka shënuar këtë vit goditje ekstreme në tregje.
Fermerët hezituan të mbillnin perimet e dimrit, për shkak të çmimeve të ulëta që morën më 2018. Oferta ishtë më e ulët se kërkesa ndaj çmimet shënuan rritje jo të zakonte.
E kundërta ndodhi me frutat. Superprodhimi i mollës dhe luleshtrydhes sollën çmime të ulëta në tregje saqë fermerët ankohen se nuk po mbulojnë kostot./Monitor