Lideri i opozitës Lulzim Basha është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje lokale më 30 qershor dhe se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Duket se nuk ka asnjë tërheqje nga Partia Demokratike, me gjithë qëndresën e maxhorancës për të mbajtur zgjedhjet në fund të qershorit.
Basha theksoi se data nuk është e parëndësishme por se më e rëndësishme është të mbahen zgjedhje me standarde. Ai deklaroi se kushti më minimal që ka opozita është që të mos ketë zgjedhje me Ramën kryeministër.
Kur largimi nga vendi arriti dimensione të papara që nga vitet ‘90, arsyeja pse kemi ardhur në gjysmë të rrugës është puna e palodhur e demokratëve për të zgjuar shqiptarët se pa fitoren e zgjedhjeve të lira, asnjë betejë tjetër s’fitohet dot, as beteja për shëndetësinë, as beteja për arsimin.”, deklaroi i prerë Basha.
Basha tha se do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik dhe se parlamenti nuk do të jetë kukull, por kontrollor i qeverisë.
“Sot nga Korça dua ta deklaroj prerë për ata që s’e kuptojnë: Po, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik, do ketë rikthim tek vlerat evropiane të kontrollit e balancës. Parlamenti nuk do të jetë kukull, por kontrollor i qeverisë, prandaj na duhet një parlament që buron drejtpërdrejt nga qytetari. Për këtë arsye kemi nisur një debat që do të shtrihet kudo në Shqipëri. 100 deputetë me një senat, apo kombëtar proporcional me lista të hapura, apo sisteme të tjera që bëjnë të mundura primaret apo një president të zgjedhur nga populli, ne nuk kemi paragjykime.
Qytetarët duhet të pyeten për çdo vendim të rëndësishëm, jo të ndërtohen inceneratorë që helmojnë qytetarët. Me një ligj për referendumet, qytetarët do të pyeten për gjithçka që ka të bëjë me shëndetin e tyre. Ky ndryshim s’do ndodhë në dhoma të mbyllura, por në sy të publikut. Gjithçka do të marrë formë të prerë vetëm pasi të vendoset me referendum kombëtar nga vetë qytetarët shqiptarë”, tha Basha.