4 në pranga, 30 të proceduar pas përplasjes së dhunshme tek “Astiri”

Sociale

Pas përplasjes së një ditë më pare te ‘Astiri’, Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 4 shtetas, për veprime të dhunshme. Po ashtu ka proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë si dhe 3 janë shpallur në kërkim. Kujtojmë që mes të arrestuarve është edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Veprimet vijnë pas një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjesit e policisë janë arrestuar shtetasit: K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë, L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë, S.H., 34 vjeç, banues në Tirane, E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Policia sqaron ndër të tjera se po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Share: