Basha jep mesazhin e fortë nga Shkodra: Nuk do ta njohim Komisionin për Reformën Zgjedhore

Aktualitet Kryesore Politikë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se opozita nuk do të njohë asnjë rezultat të komisionit të reformës zgjedhore.

 

Gjatë një takimi me të rinj në Shkodër, kreu demokrat theksoi se ky komision i drejtuar nga Damian Gjiknuri, është komisioni i paraburgimit të tij.

“Ne jemi në këtë betejë për të diktuar me bashkimin tonë, që njëherë e mirë rregullat evropianë të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira, të jenë rregullat e zgjedhjeve shqiptare. Për këtë, garancia e vetme është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, përdhunuesi serial i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk do të jetë kujdestari i zgjedhjeve të ardhshme.

Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore, për të cilën pyetet drejtpërdrejt dhe vendos sovrani. Pyetën qytetarët dhe vendosin qytetarët.

Ndaj dua tu jap sot një mesazh, të gjithë atyre që janë ulur në sallën e krimit, në Kuvendin e Shqipërisë, krah për krah Damian Gjiknurit, të pandehurit kryesor të dosjes 184, që duhet të ishte në burg e nuk mund të jetë kurrë kryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, krah për krah hiearkëve të tjerë socialistë të kapur nga prokuroria duke folur me bosët e krimit për të tjetërsuar vota, për të blerë vota, për të kërcënuar dhe intimiduar votuesit e opozitës, për ti nxjerrë nga puna, për ti shantazhuar, madje për t’i vënë dhe armën në gjoks, me qëllim që të dorëzonin vullnetin e sovranit te krimi.

Zonja dhe zotërinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore, për ne, ai është në pjesën më të madhe komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit dhe të gjithë kriminelëve të tjerë zgjedhorë. Asnjë produkt i kësaj skote, nuk përbën gjë tjetër për opozitën shqiptare, për mbështetësit tanë dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, përveç një paçavure turpi, nuk e njohim. Nuk do ta njohim, mos harxhoni kohën kot”, theksoi Basha.

Share: