Studiuesi dhe gjuhëtari Viktor Bakillari, sjell në vëmendje një nga rastet problematike të përdorimit në gjuhën shqipe të foljes “lind” në vetën e tretë njëjës. Përmes një statusi në rrjetin social facebook, ai sqaron trajtën e saktë që duhet të përdorim.
Postimi i plotë:
PËRBINDËSHI SHQIP “U LIND”
Pas viteve 1990 lexojmë në shumë libra tek paraqitja e shkurtër në kapak të tyre: Autori … u lind….
Kjo formë të shprehuri e zgjedhimi foljeje do të ketë të ardhme kur të shkruhet edhe fundi : Autori… u vdiq ….
Por nuk mjaftohemi me kaq. Folja lind paraqet vërtet vështirësi përdorimi kohor.
Si duhet ta shkruajë botuesi në pjesën e pasme të kapakut të një libri të Kadaresë:
Shkrimtari Ismail Kadare u lind në 28 janar 1936.
apo:
Shkrimtari Ismail Kadare lindi në 28 janar 1936.
apo:
Shkrimtari Ismail Kadare ka lindur në 28 janar 1936?
Forma e parë “u lind” edhe pse qarkullon dendur si “shpikje” e modernizmit, si formë moderne, është e papranueshme drejtshkrimorisht. Nuk figuron në fjalor asnjë shembull i tillë. Nuk e përdorin dhe nuk e rekomandojnë gjuhëtarët. Në gjuhësi është gabim dhe një gabim i tillë quhet solecizëm.
Mbeten dy format e tjera lindi dhe ka lindur.
A ka dallim dhe a mund të përdoret njëra për tjetrën.
Sigurisht, ka aq shumë dallim saç ka jeta me vdekjen dhe nuk mund të përdoren njëra për tjetrën në gjuhën e shkruar. Kohët e foljeve përbëjnë një problem shumë të madh përdorimi. Në kontekstin e jetëshkrimit të një autori duhet pasur parasysh nëse ai jeton apo jo. Nëse vazhdon të jetojë, duhet përdorur koha e kryer (ka lindur), e cila ka lidhje me të tashmen, me çastin që flitet.
Pra, për Kadarenë (të cilit i urojmë jetë të gjatë!) përdoruesit e gjuhës së shkruar ose botuesët duhet të shkruajnë:
Shkrimtari Ismail Kadare ka lindur në 28 janar 1936.
Nëse autori nuk jeton, atëherë duhet përdorur koha e kryer e thjeshtë (lindi).
Në gjuhën shqipe thuhet: “Fan Stilian Noli lindi në 6.1.1882 dhe vdiq në 13 mars 1965” dhe JO “u lind në 6.1.1882 dhe u vdiq në 13 mars 1965”.
____________
Shkëputur nga libri ynë
“THËRRMIJËZA GJUHËSORE
VËZHGIME DHE HULUMTIME NË GJUHËN SHQIPE”
F. 149-150, Sh.B. Mirgeeralb, Tiranë, 2017.