Bisedë me Albanologun dhe përkthyesin suedez, Ullmar Qvick, kujtime nga procesi i hartimit të fjalorit të parë suedisht-shqip.
Bisedën e realizoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar, z. Qvick, po nisim këtë bisedë duke kujtuar rëndësinë e hartimit të fjalorëve në funksion të njohjes së gjuhëve. Për të krijuar një fjalor përveçse duhet investuar kohë për lexim, kërkohet një durim i shtuar për të hartuar sqarimet shtesë rreth shumëkuptimësisë së fjalëve. Pra, për të arritur qëllimin final të leximit, komunikimit, fillimisht duhen kuptuar fjalët. Këtë proces ju e njihni shumë mirë përmes përvojës tuaj si redaktor i fjalorit të parë suedisht-shqip. A mund të shkëpusim diçka nga kujtimet tuaja gjatës punës së vështirë për redaktimin e fjalorit suedisht –shqip?
Ullmari Qvick: Ju keni kuptuar mirë kërkesat dhe vështirësitë e lidhura me përpilimin e një fjalori, në rastin aktual fjalorin e parë suedisht-shqip. Jo vetëm se na munguan fjalorë të tjerë me cilësi të lartë për krahasim, por edhe ka ekzistuar një hendek midis gjuhës së gjallë të popullit dhe gjuhës së njësuar, të pranuar me vendimet e vitit 1972. Në përpilimin e Fjalorit të parë në mes të viteve 1980, jemi munduar të respektonim gjuhën e njësuar.
Prapë ishim të vetëdijshëm se procesi i adaptimit të gjuhës së njësuar do të ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Menduam se kjo punë, me Fjalorin e vogël suedisht-shqip, do të ishte me vlerë shumë të kufizuar, se një fjalor i shqipes do të ishte me përdorim shumë të kufizuar praktik. Gabuam! Me ardhjen masive të shqiptarëve nga Kosova në fillim të viteve 1990, porositë nga kampet e refugjatëve, nga zyrat e migracionit dhe bibliotekat na mundësuan të lëshojmë botime të reja të këtij fjalori. Edhe sot herë pas here vijnë porosi për të. Për përdorim të gjithanshëm ky fjalor i parë është i pamjaftueshëm dhe më vonë janë botuar disa fjalorë më të vëllimshëm, mirëpo ende ka vend për botime të reja në këtë fushë.
Mimoza H.P: Përkthimi është një proces i vështirë, përveç transportimit të kuptimit nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, është e rëndësishme të ruhen vlerat stilistike. Si e vlerësoni ju, cila është pjesa më e bukur dhe më e vështirë që e kujtoni gjatë përkthimit të veprës shqipe në gjuhën suedeze?
Ullmar Q: Më pëlqen sidomos përkthimi ose më mirë të themi interpretimi i poezisë shqipe. Nga njëra anë më pëlqen poezia që ndriçon dhe tingëllon bukur, një poezi me cilësi të lartë formale gjuhësore. Sfidë e madhe për ta transferuar me gjuhë dhe ndjenja në një gjuhë tjetër. Në mjaft raste përpjekjet dështojnë. Stili i autorit, aludimet në rrethana të panjohura për të huajt, rimat etj., të gjithë mund të krijojnë pengesa të pakapërcyeshme për përkthyesin. Edhe mjaft nga krijimet poetike na vënë përpara enigmave, kur nuk kuptohen lehtë rrethanat, mendimet dhe synimet e autorit. Një komunikim me poetin aktual per sqarim nuk është i mundshëm gjithmonë.
Ndoshta sfidat më kanë frymëzuar, dhe besoj se shumë nga krijimet poetike nga bota shqiptare janë me vlerë për lexuesit në botë. Sidomos më kanë tërhequr dhe mahnitur veprat më të mira poetike nga Kosova.
Mimoza H. P: Në suedisht keni përkthyer pjesë nga poezia, proza dhe drama shqipe. Fillimisht zgjodhët përkthimin e tregimeve të shkurtëra (1974), pastaj përkthyet poezi të përmbledhura në Antologjinë tuaj të pare (1979) dhe më vonë disa pjesë drame. Si e keni përzgjedhur veprën, bazuar në vlerësime subjektive, në vlerësime të kritikës, miqve, apo në ndonjë mënyrë tjetër?
Ullmar Q: Procesi ka pasur më shumë elemente të zgjedhjes subjektive. Jam amator në aspektin e krijimtarisë, deri në vitin 1999 punova në arsim dhe që nga viti 1992 më kanë angazhuar firmat e përkthimit në punë me dëftesa, diploma, certifikate, etj., thjesht për nevojat praktike në lidhje me shqiptarët në Suedi. Këtë punë e kam kryer si për të plotësuar nevojat e palëve, edhe për ekonominë time private. Përkthimet e letërsisë dhe letërsia në përgjithësi na japin pasuri shpirtërore por jo materiale!
Mimoza H. P: Në poezinë shqipe të Kosovës, të pjesës së tretë të shek.XX, poetët zgjedhin tematika nacionale, historike, sociale por edhe të dashurisë. Si shkruanin poetët suedez të së njëjtës kohë?
Ullmari Q: Poetët tanë në këtë epokë kanë shkruar më shumë për ndjenjat intime dhe për dashurinë, temat nacionale dhe historike janë lënë pas dore gati plotësisht, ndërsa problemet ndërkombëtare kanë tërhequr disa nga poetët tanë edhe për të krijuar këngë. Që nga vitet 1960 problemet sociale dhe politike kanë qenë në qendër të vëmendjes kur një pjesë e poetëve u frymëzuan nga lëvizjet revolucionare në botë, mirëpo realiteti politik ka bërë që të soset kjo rrymë. Si reagim u zhvillua poezia postmoderniste, me mohim të vlerave, të së vërtetës, të ekzistencës së egos. Kjo poezi mori hov në vitet 1990, por si plotësisht e shkëputur nga jeta sociale dhe me stil poetik shpeshherë pa vlerë estetike, nuk ka krijuar interesim te lexuesi i rëndomtë, dhe shihet nga shumëkush si e dështuar .
Mimoza H.P: Gjatë karrierës tuaj letrare keni takuar shumë autorë shqiptarë. Në një nga intervistat tuaja kujtoni një takim që ju krijoi emocione të forta. Ishte takimi me poetin modern shqiptar Din Mehmeti, poezia e të cilit ishte pjesë e antologjisë suaj dhe poeti nuk ishte në dijeni se ishte përkthyer në suedisht, si e kujtoni këtë takim?
Ullmar Q: Ishte në vitin 2010. Bashkë me mikun tim të vjetër Shefki Oseku kisha ardhur për një promovim letrar në Gjakovë. Më priten me bujarinë tradicionale shqiptare. Për fat kisha marrë me vete kopje të antologjisë dhe në sallë ishte edhe Din Mehmeti, i cili nuk dinte fare se poezitë e tij ishin të përfshirë në një antologji suedeze që 31 vite…. I dorëzova librin me ndjenja të forta. Sa i egër represioni kulturor serb kur poetët nuk mund të komunikonin normalisht për arsye politike! Ali Podrimja, edhe ai i pranishëm në sallë, ishte në dijeni, kushëriri i tij me banim në Suedi, kishte vepruar si korier për ne. Din Mehmeti ishte i prekur mjaft nga sëmundja, ai vdiq më vonë atë vit. E vlerësoj si një nga poetët më të mirë nga gjenerata e vjetër në Kosovë.
Mimoza H. P: Sot, përveç biografisë dhe shumë intervistave, njohësit e gjuhës dhe letërsisë shqipe, punën tuaj në funksion të promovimit dhe njohjes së letërsisë shqipe në shtetin suedez kanë mundësi t`a ndjekin edhe përmes filmit dokumentar të realizuar nga Vranin Gecaj. Për më shumë se gjysmë ore, dokumentohen pjesë nga realiteti i jetës kryesisht në funksion të prezantimit të angazhimeve letrare dhe atyre me shoqatën Queen Teuta. Në këtë film ndonëse të shkurtër kuptojmë se marrëdhënia juaj me shqiptarët është e ndërtuar mbi një dashuri të sinqertë. Prej nga kjo lidhje, ku janë rrënjët e saj?
Ullmari Q: Shumë i ri isha kur më interesonte radio ndërkombëtare. Dëgjova muzikën shqiptare, sidomos këngët qytetare shkodrane. Ndjeva një ngrohtësi dhe emocione për këtë popull të vogël, të mënjanuar, të shtypur, të tradhtuar. Ishte muzika e bukur dhe ndjenja ime e drejtësisë, së bashku, që më bënin të mendoj se ky popull meriton një fat më të mirë se sa të vazhdojë të bëhet viktimë e politikës ndërkombëtare, e cila rrallë merr përsipër interesat e popujve të keqtrajtuar nëpër shekuj.
Mimoza H. P: Në Suedi, veprojnë disa shoqata kulturore dhe arsimore shqiptare, cilat janë relacionet tuaja në raport me aktivitetet letrare dhe kulturore që zhvillohen nga shoqatat shqiptare?
Ullmar Q: Për arsye të moshës sime nuk marr pjesë personalisht në aktivitete larg qytetit ku banoj. Jam anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani” dhe në Shoqatën lokale “Iliria”. Kam shkruar mjaft artikuj për shoqatën e parë, ndërsa në aktivitetet e shoqatës së dytë marr pjesë rregullisht edhe tani, duke pasur një bashkëpunim të sinqertë dhe frytdhënës me kryetarin e saj, z. Fahredin Berisha. Shoqatat dhe shqiptarët individualisht më tregojnë gjithmonë respekt, mirënjohje dhe miqësi.
Mimoza H.P: Si qëndron institucionalizimi i gjuhës shqipe në Suedi, a janë krijuar kushte për mësimin e shqipes në institucione arsimore parauniversitare dhe universitare? Si është e rregulluar me infrastrukturë ligjore mësimi i gjuhëve të pakicave që jetojnë në këtë vend?
Ullmar Q: Suedia është vend relativisht i vogël me vetëm 9 milion banorë. Vitet e fundit kanë qenë një barrë e madhe për ne, me pranimin dhe sistemimin e qindra mijëra refugjatë. Për atë arsye shqiptarët dhe kultura shqipe nuk janë në qendër të vëmendjes, komuniteti shqiptar është i inkuadruar mirë në shoqërinë suedeze, lidhjet me vendlindjen mbeten në shumë raste të forta, por koha bën punën e vet. Shqiptarët tani kanë fituar një pozitë të mirë në shoqërinë tonë. Arsimi i gjuhës amtare vazhdon por jo si në vitet 1990, janë sot nipërit dhe mbesat e mërgimtarëve të cilët janë në moshën shkollore. Organizohet arsimi i gjuhës shqipe në mjaft komuna, ndërsa në nivelin universitar kurse të shkurtëra për fillestarët, nuk kemi asnjë institucion suedez për studime albanologjike. Do të ishte shumë pozitive për marrëdhëniet tona kulturore të kemi një qendër studimi shkencor në Skandinavi, por kjo kërkon financim, dhe Suedia sot bën kufizime të buxhetit në shumë fusha të jetës, dhe do të ishte jashtë realitetit të kërkojmë një angazhim ekonomik në këtë drejtim.
Mimoza H.P: Sot, vazhdoni të jenë afër me gjuhën shqipe, madje vullnetarisht ofroni dijen tuaj për t`i ndihmuar të tjerët për mësimin e gjuhëve të huaja. Siç duket njohja e gjuhëve dhe kulturave të huaja është pasioni juaj që me dëshirë e bartni te të tjerët, a mund të flasim edhe për angazhimet tuaj aktuale në këtë fushë?
Ullmar Q: Përveç punës aktuale me poezinë shqipe, po angazhohem për rininë mërgimtare në qytetin tim, për arsimin e suedishtes. Kjo është një punë drejtpërdrejt me njerëz. Në moshën time kam nevojë për kontakte njerëzore, të mos mbetem i vetmuar para kompjuterit! Mirënjohja e të rinjve dhe të rejave nga Lindja e Mesme më frymëzon të vazhdoj aktivitetet e mia. Dhe gjithmonë kam në listë diçka për të bërë për kulturën shqipe. Jam me ju deri në fund…, dhe garanci për këtë është edhe bashkëshortja ime Samka, e lindur në Kosovë, e cila më mbështet në jetën dhe punën time.
/KultPlus.com