“Bota e djeshme”, përshkrimi mbresëlënës nga Stefan Cvajg

Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

“Duket pothuajse një hakmarrje e ligë e natyrës ndaj njeriut kur vë re se tërë arritjet e teknologjisë, falë të cilave ai ka mundësi të bëhet zot i forcave më misterioze të saj, çorodisin njëherazi shpirtin e tij.

Teknologjia s’na ka hedhur mallkim më të keq se sa duke mos na lënë, qoftë edhe për një çast të vetëm, të shkëputemi nga e tashmja.

Në kohë katastrofash, brezat e mëparshëm mund të iknin larg e të strukeshin sërish në vetmi, ndërsa ne jemi të detyruar të dimë e të ndiejmë brenda orës, madje brenda sekondës, çdo gjë të keqe që ndodh në planetin tonë.”

“Duhej luftuar kundër luftës! E kisha njohur kundërshtarin që do ta luftoja – heroizmi i rremë, që preferon t’i dërgojë të tjerët drejt vuajtjes e vdekjes, optimizmi bajat i profetëve të pandërgjegjshëm, politikë dhe ushtarakë, të cilët, duke premtuar pa skrupuj fitoren, zgjatin kasaphanën dhe pas tyre kori i paguar i tërë atyre “fjalshumëve të luftës”, siç i damkoste me turp Verfeli në poezin e vet të bukur.

Kushdo që shprehte ndonjë dyshim, i bezdiste në allishverishin e tyre patriotik; këdo që paralajmëronte për ndonjë rrezik, e quanin pesimist dhe talleshin me të; këdo që dilte kundër luftës, nga e cila ata nuk vuanin fare, e stigmatizonin si tradhëtar.

Ishte gjithnjë e njëjta klikë, ajo klika e përjetshme përmes epokave, klika e atyre që quajnë frikacakë të kujdesshmit dhe të dobët humanët, për të mbetur pastaj edhe vetë të hutuar në çastin e katastrofës që e kanë shkaktuar me mendjelehtësin e tyre.”

“Ai brez të cilit morali i’a ndalonte çdo shpjegim ose çdo afrim të padjallëzuar me seksin tjetër, qe njëmijë herë më i dhënë pas erotizmit se sa rinia e sotme, që ka liri më të madhe në dashuri.

Kjo ndodhte sepse, vetëm gjëja e refuzuar e nxiste dëshirën, vetëm e ndaluar e shtonte lakminë, dhe, sa më pak të shihte syri, sa më pak të dëgjonte veshi, aq më shumë ushqehej mendimi me ëndërrime.

Me një fjalë, ajo trysni mbi rininë tonë bëri që të ngjizej tek ne jo një moral më i lartë, por vetëm mosbesim e zemërim kundër tërë atyre instancave të shoqërisë.”

“Vetëm fatkeqësia e mërgimit mund të jua japë thellësisht kuptimin dhe pasqyrimin e realiteteve të kësaj bote.”

“Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma dhe nuk vendos në favor të asnjë partie, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë.”

“Vetëm personi që e ka provuar dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, ngritjen dhe rënien, vetëm ai e provuar vërtetë jetën.”

“Kisha mbërritur në një moshë në të cilën të tjerët tashmë veç ishin të martuar për kohë të gjatë, kishin bërë fëmijë dhe mbanin pozita të rëndësishme dhe që kishin qenë të obliguar ta prodhonin më të mirën që ka qenë brenda tyre, me energjinë e tyre të plotë.

Ndërsa unë ende e konsideroja veten të ri, një amator që e kishe kohën e pakufishme, dhe që hezitoja për çfardo vendimi përfundimtar.”

 

(Përkthyer nga Aristidh Ristani)

Share: