Raportet Mustafa – Kurti, nga përçarja e përplasja deri tek afrimi

Aktualitet Kryesore Politikë

Pak kohë pas përplasjeve në nivel partiak e personal, Albin Kurti e Isa Mustafa e kanë trashur këtë javë bashkëpunimin politik.

Liderët opozitarë të Vetëvendosjes dhe LDK-së, janë takuar sërish në shtëpinë e Mustafës, që dikur ishte cak i sulmeve nga militantë të Vetëvendosjes, raporton KTV.

Historia e këtyre dy politikanëve, që prej ndarjes së VLAN-it, ka qenë e përshkruar me akuza dhe ofendime.

Në kohën kur Mustafa ishte kryeministër, partia e Albin Kurtit u bë kundërshtarja më e ashpër për të.

Kundërshtimet e “Vetëvendosjes” për formimin e asociacionit, apo, siç e quan kjo parti, Zajednicës, u bënë në rrugë e në shtëpi të kryeministrit Mustafa.

Ishte 25 gushti i 2015-s, kur aktivistët e kësaj partie organizuan aksionin e tyre në shtëpinë e Mustafës në Prapashticë, vendlindjen e tij.

Meqë Kurti e akuzoi Mustafën se bashkë me Hashim Thaçin po e sillnin Zajednicën, dy ditë më vonë, po përmes facebook-ut, Mustafa e ofendoi Kurtin, duke e quajtur atë “gomar të Zajednicës”.

Në një tjetër, nëpër paraqitje televizive, Kurti e akuzonte Mustafën se me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe atë për asociacionin, vendin po e çonte drejt luftës.

E akuzoi për paaftësi.

Aksionet ndaj ish-kryeministrit Mustafa, aktivistët e “Vetëvendosjes” i vazhduan edhe në rrugë, duke e sulmuar me ngjyrë eskortën e tij, në mëngjesin e 7 shtatorit të po atij viti.

Sulmet ndaj Mustafës, Vetëvendosje i vazhdoi në Kuvend.

Gjuajtën me dhjetëra herë gaz lotsjellës në Kuvend, nën kauzën për të ndalur marrëveshjen e demarkacionit dhe asociacionin e komunave serbe.

Këtu, në ndihmë Kurtit i doli edhe AAK-ja, partia e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj dhe Nisma e Fatmir Limajt.

Dy javë pas këtyre veprimeve, derisa po fliste për marrëveshjet me Serbinë, (22 shtator 2015), u bë një tjetër sulm me vezë ndaj Mustafës, kësaj radhe nga vetë deputetët Vetëvendosjes.

E akuzuan atë direkt se nuk mund ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës, përmes krijimit të “Zajednicës”.

Mustafa reagoi ashpër ndaj këtyre veprimeve të “Vetëvendosjes”.

Mustafa u gjuajt me vezë nga aktivistët e partisë së Kurtit, edhe gjatë një aktiviteti të tij në Podujevë(6 tetor 2015).

I akuzoi aktivistët e Vetëvendosjes se po e shkatërrojnë shtetin, por edhe se ishin përgjegjës, sipas Mustafës, për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Ngarendja e Mustafës për të mbledhur vota për Hashim Thaçin president, duket se i acaroi marëdhëniet e Isa Mustafës edhe më shumë me partinë opozitare, në krye me Kurtin.

Më 26 shkurt të 2016-s, me ndihmën e LDK-së, Thaçi u zgjodh president.

Aktivistët e kësaj partie, sulmuan me molotov shtëpinë e Mustafës në Prishtinë.

Tri vjet pas, nga e njëjta shtëpi, Kurti e Mustafa, po deklarohen se janë bashkuar për të mirën e Kosovës, për ta ndaluar, sipas tyre, planin e Thaçit për korrigjimin e kufirit të Kosovës me Serbinë.

Share: