Ragip Hajdini nuk është një emër i panjohur për policinë e shqiptarëve të përtej kufirit. Shtetasi kosovar i arrestuar këtë të premte në qytetin e Kavajës, si i dyshuari i 6 i grabitjes së bujshme të 9 prillit në Rinas, rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës.
Sipas Prokurorisë së “Eulex”-it, grabitja e sasisë së arit është kryer përgjatë 3 muajve, nga shkurti deri në prill të vitit 2012. Në fakt, të grabisësh një sasi të tillë nuk është ndonjë habi, por fakti që ajo është grabitur brenda ambienteve policore e bëri ngjarjen të bujshme asokohe në mediat kosovare.
Ari i vjedhur dyshohet të jetë nxjerrë prej ambienteve policore nga një toger, e pas kësaj përfundoi në një argjendari për t’u shkrirë dhe për t’u nisur drejt Turqisë, përmes pikës kufitare të Vermicës. Për ngjarjen në fjalë pati 6 të dyshuar nën hetim, prej të cilëve dy policë.
Vjedhja e arit në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Pejës u dyshua madje si një “mbulesë” për shkatërrimin e qindra provave për krime të rënda, kryesisht vrasje në qytetin e Pejës.