Nga mjeku Isuf Kalo
Një fjalë e urtë thotë se “Rruga e shtruar me qëllime të mira mund që shpie edhe në ferr”. Edhe kujdesi mjekësor ndaj pacientëve ndonëse gjithmonë qëllim-mirë, përmban përveç dobive të panumërta edhe rreziqe të njohura e gabime të mundshme njerëzore profesionale ndaj shëndetit të tyre.
Shtimi i ndërhyrjeve mjekësore të reja më të guximshme, më të komplikuara e të sofistikuara dignostike dhe kurative në trupin dhe në organet jetësore të të sëmurëve, me metoda e teknologji që përdoren për herë të parë kanë shtuar rreziqet dhe mundësitë për gabime e dëmtime të padëshiruara dhe të papritura ndaj të sëmurëve. “Mjekësia moderne- thotë Prof.Sir C.Chantler, sot është më tepër komplekse, më efektive por potencialisht edhe shumë më e rrezikshme”.
“Një studim në 20 vende të BE, njoftonte se 10% e të sëmurëve të shtruar në to pësojnë çdo vit dëmtime të rënda të evitueshme. Rreziqet dhe gabimet mjekësore më të shpeshta janë në qendrat spitalore ku kryhen ndërhyrje më të komplikuara diagnostike e kurative.
Rreziqet e tilla nuk janë të papritura. As të panjohura. Asnjë spital nuk është i parrezikshëm për të sëmurët. Rreziqet janë problem institucional dhe sistemor. Ato duhet të njihen, të zbulohen paraprakisht dhe të evitohen burimet e tyre, ose duhen minimalizuar ato sistematikisht sipas një platforme të paravendosur.
Rreziqet në spitale burojnë nga: Infrastruktura jo e sigurt (rënie e tavanit, bllokim i ashensorit, mungesa e daljeve rezervë në rast zjarri, lagështia, rrezatimi, nga mos respektimi standardeve të ndërtimit).Mos kryerjen periodike të procedurave të licencimit dhe akreditimit të tyre për cilësinë dhe sigurinë. Mungesa ose mos zbatimi i Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinik të praktikës klinike më të mirë. Mos raportimi, mos regjistrimi dhe mos korrigjimi i gabimeve pa dashje. Përdorimi i produkteve të pasigurt: Gjaku i infektuar ose me Grup jo të përcaktuar saktë, barnat alergjik ose toksik. Ushqimi i infektuar. Pajisjet teknologjike të vjetra, të pa kalibruara periodikisht. Ndërhyrje diagnostike dhe mjekuese të vonuara ose jo korrekte. Infeksione spitalore pas kirurgjisë ose pavarësisht prej saj. Dhunë verbale e psikologjike ndaj të sëmurëve dhe personelit. Mos informim dhe mosmarrja paraprake e pëlqimit nga pacientët për rreziqet eventuale të procedurave që do të kryen tek ata. Vdekje të evitueshme ose të parakohshme për shkak të praktikës jo korrekte mjekësore.
Veçanërisht më të rënda janë vdekjet që Rustein në vitin 1970, i emëroi “vdekje të evitueshme” me kuptimin që ato “nuk do të ndodhnin po të ishte ofruar kujdes mjekësor konform praktikës klinike të sotme (të mundshme) më të mirë”.
Ne nuk kemi të dhëna të besueshme për shpeshtësinë e këtyre rreziqeve në spitalet dhe qendrat tona mjekësore sepse ato përgjithësisht nuk raportohen por vendet evropiane i monitorojnë dhe i raportojnë ato rregullisht.
Në shtypin tonë në vitin 2006 janë raportuar 54 raste vdekje të tilla, por monitorimi dhe raportimi sistematik, i tyre për fat të keq mungon. Ka pak studime për shpeshtësinë e infeksioneve spitalore, e cila tek është gjetur të jetë 2 deri 4 herë më e lartë se në vendet evropiane dhe mungon një strategji në nivel sistemi të kontrollit dhe minimizimit të tyre.
Kurse gabimet gjatë ofrimit të kujdesit janë individuale dhe rastësore. Jo të gjithë profesionistët me bluzë të bardhë gabojnë dhe jo gjithnjë gabimet janë njerëzore, të shkaktuara pa dashje, prandaj quhen gabime të bardha. Shkaqet për to lidhen me aftësitë jo të plota profesionale të stafit mjekësor, por pjesërisht edhe prej mangësive organizative, të mos mjaftueshmërisë së mjeteve, nga mbingarkesa dhe stresi në punë, mos etiketimi i mirë i barnave, mos verifikimit paraprak i produkteve ose barnave apo edhe prej humbjes së vëmendjes të profesionistëve për arsye njerëzore të jetës së tyre personale dhe familjare.
Siguria në shërbimin shëndetësor tonë me kompleksitetin e saj mbetet ende fushë jo mirë e njohur si për politik-bërësit, për profesionistët bluzë-bardhë ashtu dhe për pacientët dhe qytetarët. Treguesit e saj nuk maten dhe nuk raportohen. Dhe pacientët e dëmtuar padrejtësisht prej defekteve të saj vazhdojnë të mos zhdëmtohen.
Qendra jonë Kombëtare për Cilësinë, Sigurinë dhe Akreditimin e Institucioneve Shëndetësore e ngritur në vitin 2006, krijoi për herë të parë brenda saj një sektor të posaçëm për Sigurinë si elementi më prioritari cilësisë së kujdesit shëndetësor. Në këtë kontekst u krijua dhe u botua “Taksonomia për sigurinë dhe gabimet mjekësore”, u krijuan “standardet e sigurisë” si element i domosdoshëm për licencimin dhe akreditimin e institucioneve,u zhvilluan veprimtari trajnuese. U krijua në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik Udhërrëfyesi kombëtar për kontrollin e infeksioneve spitalore si dhe për zhvillimin e kulturës dhe filozofisë së re lidhur me sigurinë tek profesionistët dhe menaxherët, përfshirjen e të drejtës së kujdesit të sigurt si element kryesor i të drejtave të pacientëve si dhe e drejta e litigimit apo zhdëmtimit të tyre për dëmet eventuale të shkaktuara nga praktika mjekësore jo korrekte.
Filozofia e re e qasjes ndaj gabimeve mjekësore
Lidhur me gabimet e bardha pa dashje që janë edhe më të shpeshtat në praktikën mjekësore, avokati amerikan Edwart J Sanocki ka propozuar një terminologji të re duke i quajtur ato “Gabime gjatë kryerjes së detyrës”. Këto gabime janë të paqëllimshme dhe nuk duhet të ndiqen penalisht. Ato duhen dalluar nga ato të ndodhura jashtë detyrës profesionale mjekësore, p.sh.: kur një mjek aksidentalisht dëmton apo shtyp jashtë spitalit për shkak të shpejtësisë së tepërt një qytetar me makinë. Ai për këtë dënohet penalisht njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë. Gabimet gjatë detyrës janë shpesh të ndikuara nga vështirësitë, të papriturat dhe rreziqet paraprake që përmban vetë kryerja e ndërhyrjes. Të tilla p.sh.: janë gabimet e mundshme gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Përfundimi i keq, i pa dëshirueshëm i saj mund të ndodhë nga faktorë të tjerë ndikues të papritur edhe kur ndërhyrja vetë si metodë dhe proces është kryese teknikisht dhe profesionalisht korrekte. Në mjekësi edhe kur ajo që duhet është bërë siç duhej mund të ndodh të mos rezultojë ajo që shpresohej dhe pritej.
Në klimën e tendosur tek ne të marrëdhënieve mjek-pacient, mjek-familjar të pacientëve është koha të njihen dhe të zbatohen parimet e reja që praktikojnë vendet evropiane ndaj gabimeve dhe dëmtimeve mjekësore tek pacientët. Ato shprehen bazuar në parimin që “nuk është gabim të gabosh. Gabim është të mos tregosh dhe të mos mësosh ti vetë dhe të tjerët prej tij”. Minimizimi i gabimeve të paqëllimshme mjekësore arrihet jo me anë të frikës, burgimit, ndëshkimit dhe diskriminimit të autorëve sepse kjo çon në fshehjen e gabimeve dhe mos korrigjimin e tyre por përkundrazi me anë të raportimit të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm të tyre nga ana e profesionistëve,çka mundëson të mësojnë të gjithë për evitimin e mos përsëritjen e tyre në të ardhmen.
Strategjia e deritanishme e minimizimit të rreziqeve dhe gabimeve mjekësore spitalore së pari me anë të identifikimit të shkaqeve të tyre dhe pastaj të korrigjimit të faktorëve dhe praktikave që i gjenerojnë ato. E quajtur Safety I është propozuar të shoqërohet me një praktikë të re të quajtur Safety II e cila duket si e kundërt me të por që i shërben të njëjtit qëllim me efekt përmirësues më të madh.
Erik Hollnagel në librin e tij “Safety I and Safety II: the past and future of Safety Menaxhment” quan Safety II metodën e cila në vend që të hetojë dhe pastaj të përmirësojë praktikat e gabuara klinike (të cilat në fakt ndodhin më rrallë) e gjen më logjike të identifikojë faktorët favorizues të praktikës klinike të suksesshme pa gabime (e cila realisht ndodh shumë më shpesh).Pas identifikimit kjo praktikë e mirë shpallet e përhapet në gjithë spitalet.
Andy Evans dallimin në mes metodës Safety I dhe asaj Safety II e ka përmbledhur në: “Safety I synon të pakësojë rreziqet dhe gabimet në burim (të minimizojë të keqen) Safety II synon të maksimalizojë suksesin (ta inkurajojë, ta përhapë dhe të shtojë eksperiencën e mirë)”.
Safety I me fokus korrigjimin e “negatives” dhe Safety II me promovimin e “pozitives” të kombinuara mund të fuqizojnë efektin në arritjen e qëllimit final të përbashkët që është shtimi i sigurisë në sistemin shëndetësor.
Në rrethanat e shëndetësisë tonë për fat të keq ende veprohet me spontanitet dhe nuk zbatohen në mënyrë sistematike as Safey I as Safety II. Dhe aq më pak të dyja së bashku. Safety I pengohet nga mos raportimi vullnetar i rreziqeve dhe gabimeve as nga profesionistët, as nga institucionet për shkak të frikës së ndëshkimit dhe të mungesës së kulturës e ndërgjegjes të duhur për to.
Kurse Safety II nuk zbatohet sepse nuk njihet, nuk shpallet dhe nuk përhapet praktika klinike pa gabime si shembull pozitiv. Një pengesë është fakti që Udhërrëfyesit dhe Protokollet e praktikës klinike më të mirë vetëm tek-tuk përdoren, madje në shumë shërbime ato mungojnë sepse nuk janë hartuar. Ndërkohë edhe strategjinë kombëtare të përmirësimit të sigurisë në shëndetësinë tonë ende nuk e kemi përpiluar deri sot.
Zhdëmtimi i munguar i pacientëve dhe pasiguria e profesionistëve
Procesi i litigimit, i zhdëmtimit të pacientëve por edhe të stafit mjekësor për dëmet shëndetësore të shkaktuara atyre gjatë qëndrimit në institucionet shëndetësore, përbën tek ne një fenomen të ri ende jo të qartë rregulluar. Ai buron nga e drejta e pacientëve për kujdes shëndetësor të sigurt. Po aq të pambrojtur janë edhe profesionistët e mjekësisë dhe vetë institucionet në raste “gabimesh të paqëllimta të bardha” gjatë detyrës. Ato edhe pse sipas Erik Hollnagel nuk përbëjnë çështje penale janë çështje të së drejtës civile, sepse dëmi shëndetësor ndaj pacientëve duhet sidoqoftë zhdëmtuar nga dikush.
Në Evropë spitalet por edhe profesionistët si individ sidomos mjekët në specialitete me ndërhyrje të komplikuara ku mundësia e gabimeve dhe dëmtimeve të sëmurëve është relativisht më e madhe sigurohen për dëmet eventuale të cilat paguhen nga agjenci siguracioni të posaçme për to.
Ne nuk kemi akoma një sistem të tillë siguracioni të posaçëm për mjekët. Në vend të zhdëmtohet financiarisht pacienti i dëmtuar, prangoset mjeku, akt nga i cili as pacienti i dëmtuar as shoqëria nuk ka ndonjë përfitim. Në tërësi qasja ndaj gabimeve mjekësore kërkon mirëkuptim reciprok pa u udhëhequr nga emocione të cilat shpesh kanë çuar në atmosferë konfliktuale në marrëdhëniet mjek-pacient.
Është koha që edhe shëndetësia jonë t’i shohë problemet e sigurisë për të sëmurët dhe personelin mjekësor si përparësi në sintoni edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila që në vitin 2004 ka iniciuar Aleancën për Siguri në sistemet shëndetësore si një nga problemet më madhore të sotme.