Drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa është përfshirë në një debat publik me deputetin socialist, Spartak Braho, ish-deputetin Sabit Brokaj dhe ish-ambasadorin Fatos Tarifa.
Ky debat që ka nisur për LANÇ-in dhe krimet e komunizmit, i ka kaluar kufijtë e normales, dhe tashmë Tufa i është drejtuar gjykatës, pasi ndihet i kërcënuar për jetën.
Në emisionin “Top Talk” ai shprehet se ka lënë një dëshmi se nëse i ndodh diçka e keqe, dihet se kush janë autorët e sulmit.
“Kam përballë segmente shume të rrezikshme fanatike të enverizmit, të ish-armës së sigurimit të shteti dhe drejtësisë së dhunshme komuniste dhe njerëzve të veshur me imunitet.
Që ndihem i rrezikuar, moralisht kjo ndihet, por ndihem edhe fizikisht.
Mesazhe kërcënuese vijnë me anë të personave anonim dhe jo anonim. Kam paralajmëruar që çfarë do që të ndodhë, dihet se kush janë autorët e sulmit”, tha Tufa.
Deputeti Spartak Braho, Brokaj dhe Tarifa e akuzojnë Tufën për njollosje të së shkuarës së lavdishme të luftës, ndërsa Tufa i akuzon ata si enveristë.
Gjatë intervistës së dhënë sot, ai ka sqaruar fillesën e debati publik mes tij dhe personave të lartpërmendur.
“Pas paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, bëhet mbledhja për miratimin e rezolutës. Në atë mbledhje, përveç të tjerëve ka qenë edhe deputeti Spartak Braho, që lëshoi një lumë akuzash drejt meje dhe institutit, pa pasur asnjë bazë apo fakt konkret.
Në këtë mënyrë, e mora videon dhe e bëra të njohur, që të shihej se në çfarë mënyre sulmohet një institucion”, tha Tufa.
Po kështu ai kërkoi përjashtimin e gjithe ish-sigurimsave të shtetit komunist nga administrata e tanishme.
“Ka një kapitull në raportin tim që flitet për praninë e madhe në institucionet tona të pavarura dhe varura, të administratës nga ish-sigurimsa.
Janë me qindra ish-sigurimsa. 519 ish-sigurimsa janë vetëm në Policinë e Shtetit. Apeli im është që të reagojë qeveria ndaj kësaj situate”, u shpreh ai.