Bankat kanë një problem: Shqipëria ka para me tepri. Kreu i shoqatës: Transferta disa herë në muaj, sepse…

Ekonomi

Kryetari i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi deklaroi në një konferencë të rrallë për shtyp se Shqipëria ka një suficit të konsiderueshëm, afatgjatë dhe strukturor në të ardhurat valutore, që sipas tij shpjegohet me sasinë e stërmadhe të parave të akumuluar jashtë vendit. 

 

Bankat në Shqipëri detyrohen të organizojnë transferta parash të thata disa herë në muaj dhe kjo për arsyen e thjeshtë se Shqipëria ka një suficit të lartë, të vazhdueshëm dhe afatgjatë në të ardhurat valutore të vendit, bëri të ditur të mërkurën në Tiranë Silvio Pedrazzi, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe administrator i përgjithshëm i Intesa San Paolo Bank në Shqipëri-një nga bankat më të mëdha në vend.

Pedrazzi doli para gazetarëve në një konferencë të rrallë për shtyp për të shpjeguar fenomenin e transfertave të parave të thata përmes aeroportit të Rinasit, një praktikë e zakonshme e bankave tashmë prej shumë vitesh, por që u vu në vëmendje të publikut të gjerë pas grabitjes së disa milionë eurove më 9 prill 2019.

Pedrazzi tha se konferenca e tij për shtyp synonte të shpjegonte para shqiptarëve se pse bankat transferojnë para nga Shqipëria, për shkak të atyre që ai i cilësoi si informacione të pasakta nga një pjesë e medias, të tilla si “po na ikin paratë e depozitave”, etj.

Por shpjegimet e Pedrazzit dhanë edhe një panoramë krejt të ndryshme me atë që jepet nga statistikat zyrtare mbi financat e Shqipërisë.

“Flukset hyrëse janë në mënyrë strukturore më të larta se sa ato dalëse,” tha Pedrazzi. “Surplusi është gjithkund. Kjo shpjegon se si një sasi e stërmadhe parash është akumuluar jashtë vendit,” shtoi ai.

Zyrtarisht Shqipëria ka një deficit në tregtinë e jashtme në masën 2.9 miliardë euro ndërsa prurjet nga emigrantët dhe kreditë e ndryshme dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta mbulojnë një pjesë të këtij deficiti. Megjithatë, bilanci i pagesave të vendit, ku llogariten të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet në valutë, për vitin 2018 kishte një deficit prej 860 milionë eurosh, sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Pyetur mbi këtë kontradiktë mes surplusit të stërmadh të vërejtur nga bankat dhe deficitit të bilancit të pagesave, Pedrazzi sugjeroi se informaliteti mund të jetë burimi i parave. Ai vërejti gjithashtu edhe faktin tashmë të njohur nga të gjithë, forcimi i lekut kundrejt Euros.

“Kur erdha në Shqipëri pesë vjet më parë, euro kushtonte 140 lekë ndërsa tani kushton 125 lekë”, vërejti ai.

Pyetur mbi volumin e transfertave kesh nga Shqipëria jashtë vendit, Pedrazzo tha se nuk ishte në gjendje të jepte një vlerësim shumë të saktë për shkak se banka të ndryshme zbatojnë rregullore të ndryshme për sasinë e valutës së transportuar në çdo rrugë, ndërsa luhatjet sezonale të keshit të tepërt janë shumë të mëdha. Por një bankë, tha ai, mund të kryejë katër apo pesë transferta në muaj.

Grabitja e Rinasit e datës 9 prill ka shkaktuar një kokëçarje shtesë për bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për shkak se kompania ajrore Austrian Airlines ka vendosur të refuzojë ofrimin e shërbimit të transfertave të parave drejt Vienës dhe bankat nuk kanë gjetur për momentin një alternativë.

Pedrazzi vërejti se në ditët e para pas grabitjes, një pjesë e bankave filloi të refuzojë blerjen e valutës së tepërt, gjë që solli një dobësim të konsiderueshëm të euros në treg. Ai theksoi se drejtuesit e bankave vendosën bashkërisht pak ditë më vonë të vijonin të blinin valutë si normalisht për të shmangur çrregullimet në treg.

Sipas Pedrazzit, përpunimi i parave kesh është një shërbim që ofrohet nga pak banka nëpër botë për shkak se ka kosto të lartë dhe fitime të ulëta. Raiffeisen e Austrisë është një nga këto banka të specializuara për ofrimin e shërbimit për të gjithë Europën lindore. Por për momentin, keshi i tepërt nuk mund të transportohet për në Vienë dhe bankat janë ende në kërkim të një zgjidhjeje. Për Pedrazzin, e rëndësishme është që zgjidhja të gjendet para sezonit të verës, kur remitancat nga emigrantët rriten bashkë me të ardhurat e vendit nga turizmi.

BIRN

Share: