Maliqi do të lidhet me njësitë e tij administrative, Libonikun dhe Drithasin, me një rrugë të re, të standardeve bashkëkohore. Në rrugën ekzistuese, pothuajse e pakalueshme, është hapur kantieri i punimeve që pritet të përfundojnë brenda 7 muajve. Rruga do të ketë trotuare nga të dy krahët, korsi për biçikletat, gjelbërim dhe sistem ndriçimi.
Në kantierin e kësaj rruge ishte Kryeministri i vendit Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu.
“Në Maliq ka disa potenciale që mund të zhvillohen edhe për turizmin edhe për agroturizmin. Këtu njerëzit janë shumë punëtorë, janë shumë të dedikuar, mirëpo rruga ishte një tmerr i madh që e priste hovin e njerëzve për të ardhur, ose për t’u rikthyer. Tani besoj, nga pikëpamja e projektit, është goxha e bukur, goxha turistike si rrugë”, u shpreh Kryeministri Rama.