sh-presidenti peruan Alan Garcia ka qëlluar veten në qafë me një plumb dhe është në gjendje kritike, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Andina, cituar nga CNN.
“Ish-presidenti mori vendimin për të qëlluar veten”-tha avokati i tij Erasmo Reyna jashtë spitalit Casimiro Ulloa.
Ministri i Shëndetësisë Zulema Tomas u tha gazetarëve se Garcia është ende në gjendje shumë kritike dhe lëndimet e tij janë “shumë serioze”.
Garcia është duke u trajtuar nga neurologët dhe është ringjallur tre herë nga ekipi i tij mjekësor, tha Tomas.
Garcia, i cili shërbeu si president nga viti 1985 në 1990 dhe nga viti 2006 deri në vitin 2011, është nën hetim për ryshfet në lidhje me një skandal masiv të korrupsionit që ka përfshirë një numër ish-liderësh të Amerikës Latine.
Burimet pranë hetimit i thanë CNN-së se autoritetet peruane kishin lëshuar një urdhër për arrestimin e tij të menjëhershëm.
Garcia është akuzuar se ka marrë ryshfet nga një prej firmave më të mëdha të ndërtimit në Amerikën Latine, Odebrecht, me seli në Brazil, gjatë ndërtimit të një treni elektrik për metro të Limas, ndërsa ishte president gjatë mandatit të tij të dytë. Ai ka mohuar pretendimet.
Në një artikull të botuar të martën, Garcia tha se nuk kishte asnjë provë kundër tij dhe akuzoi prokurorët peruanë për spekulime, duke shtuar se nuk ishte shitur kurrë dhe se kjo ishte e provuar.
Në nëntor të vitit të kaluar, Garcia kërkoi azil në ambasadën e Uruguait pasi një gjyqtar e ndaloi të largohej nga vendi për 18 muaj. Qeveria uruguaiane e mohoi kërkesën në dhjetor.