“Çka âsht koha?”
Çka âsht koha?
Nji thijë,
nji shejë,
f’minija?
Koha?!
Nji parukë,
vnueme
n’teatër
përgjiditë…
“Dishíri”
Lëbyrun drite, n’shteg t’errsinës,
endim
njenin e tjetrin nân e mbi kohë,
t’paplota
imazhet si hârrna n’pantόllë,
bâjmë
bojën e nesret, trâshë e hollë.
Turravráp
miklojmë çka rreth kena,
veç ndàl!
Gojës tonë s’ndìjmë se del,
n’pùshi,
kur ménden vnόjm’ tévona,
kqyrim se
t’vόgjël jem kênë, t’vόgjël jena.
-Kohë kena boll-
zukasin vesh’t e lodhun,
prej zânit,
qi mbrenda honit tonë fjén,
n’nânkres’
vnόjmë mshéfdas dùf t’sodit,
tù pritë nesre me ag,
qi s’dihet gjâ n’vjen.
I huej n’qytet
Nji malcor, i huej n’qytet
Prej s’neltit râ n’teposhtë
Veshun n’nji gozhup leshit,
duhan t’dredhun majé veshit,
me do pare rrânzë mesit
e nji kangë majé krahìt,
i huej malcori Gjetë, n’qytet …
Rrapullima majé rruget,
kulla t’nelta majé njerìt,
kërkush gjall’ s’p’e përshnet,
kush s’e sheh, as kush e dvetë,
i huej â end Gjeta n’qytet …
Ulë n’nji lulishtë âsht ndejt,
fjetë ka midis dimni n’gazep,
xetë po e mbâ gozhup i thurun,
malcori Gjetë n’t’madhin qytet…
Hesht si njerì qi fjalë s’qet,
hjedh si strajcë njat gozhup t’bâmë,
prej po rreh shteg me dalë,
hapngarkuem, maná t’randë,
i huej, malcori n’at dimën t’namtë…
FJOLLA
Ti ke me mbrritë fjolla jeme lulùe,
ke me mbrritë e flladshme, si era n’grunë, ke m’u shfaqë n’stilin tand, n’plazmën teme.
Ke m’u ngjizë, n’lutjen teme kur shkoj rrugës, mandej m’u ndijë puhizë valltare n’ t’arta deshë, n’fund tuj bâ dúkë tanë dúkë, n’njerëz qi ndeshë.
Ke me ârdhë, se asgjâ nuk tretë
e të korrat, duen pun’torët e vet’…
Oboe
Lilat e bylbylat gjallnojnë shkretinë e drekës,
ferishtat s’po ndijnë zânin e nanave n’porta,
mbetë kanë bosh, t’dall’ndysheve folezat,
n’thanë mbet ruba verdhuke e verës s’xetë…
Kah bjen vjeshtën, n’mall tretë…
Kris në oboe nji shi n’dashni t’magjepsun,
bylbylat, rankojnë trishtimit buzëmbramje,
lilat mbyllin qepenat me erë, kokëulun n’stil,
n’thanë kjan ruba e verës, n’shi nxanme…
Kângë e oboes, n’ ato kopshtí, n’drekë…
Pésë plâgë
I krintë njaj burrë qi qeshet nan mjekër,
kulmi i ka râ, po kullën e mbân n’sup.
Konόpin prej qafe s’kâ hjekë tânë jetën,
qeshet njáj burrë, din m’u mbledhë krrúp.
Njaj burrë qi qeshet,
pésë plâgë sh’llinë,
njà për tokën lânun,
njà për ândrrën nxânun,
njà për vedin kâllun,
njà për nânën kjâmun,
njà për kulmin râmun,
njaj burrë i mirë…
Njáj burrë i krintë, me zemër t’prushtë,
ngushtë ka râ, po kush s’e pa ngushtë.
Leka e Gjergji
N’Kuven’ t’Lezhës , Pal Dukagjini,
besën e burrit ka dhânë Gjergjit,
dukagjinas e djelmni Shalet,
kâmbën anmikut me e qitë faret.
Kish pa lé Leka i Palit…
Rrit’ n’Ulpianë , Raguzë e Lezhë,
me vlla Pal, Marí e Rozë,
páj ma i miri i kull’s t’vendit,
nip n’derë Aranit Komnenit…
N’dasëm t’Gjergjit, básh n’Krue,
thirr’ n’duel ka Lekë Zakarinë,
për nját t’bukrën e Dushmanve,
për nját fllanxë t’re, Jerinë.
Uj’ ma mrápa n’kohë ka rrjédhë…
Kur n’kry i vnój kunόrë,
tuj lidh’ besë me Gjon Muzak’,
tuj dhânë fjal’n e nderit t’burrit,
me má t’bukrën Teodorë.
N’Stefigrad âsht bâ e madhe,
Kastrioti thirr’ p’e kâ,
flut’ron Leka me ndih’ vllaun,
páj prej dékës, Gjergjin ka ndâ…
N’bukë t’sofrës, n’teh t’shpatës,
n’besë arbnore t’Principatës,
kryetrimat kanë lidh’ motin,
Leka njá n’ Gjergj Kastriotin.
Re zezona mbi Krue apet…
Ballaban Pasha, s’gjân’ gajret
As ushtri, as kockë ka mbetë…
Thirr e ka njáj Zot Gjergjin,
e ka lânë Lekën vetun,
thirr ká Leka n’oshtimë t’giatë,
bes’n e Gjergjit kush s’pe çârtë!
…Njéshtu puna n’at Principatë…
Gjergj e Lekë, ngát e ngát,
âsht’ thânë fjala dhè m’dhè:
-Kryetrimat s’mund me dekë,
jetë dhané, mandej kanë lé!