Në Shtetet e Bashkuara, libraritë e vogla, të pavarura konsiderohen si vende ku banorët e lagjes zbulojnë libra të rinj dhe krijojnë miqësi të reja. 20 vjet më parë këto librari po zhdukeshin me shpejtësi, të zëvendësuara nga kompani të fuqishme me degë në të gjithë vendin, si dhe të konkurruara nga shitjet përmes internetit. Por rreth 10 vjet më parë u rishfaq interesimi dhe tani këto librari po lulëzojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Block vizitoi dy librari të pavarura në zonën e Uashingtonit ku bisedoi me klientë mirënjohës për këtë biznes në lagjet e tyre:
“Një dyqan i vogël, por i paçmueshëm. Gjen libra nga autorë jo shumë të njohur”.
Kjo librari u hap tetë vjet më parë në një lagje të pasur në Virxhinian veriore. Lelia Nebeker është shumë e intersuar të flasë me klientët për preferencat e tyre letrare:
“Ky dyqan është një pikë takimi ku njerëzit mblidhen me fqinjtë e miqtë e tyre”.
Klientes Cheryl Moore i pëlqen vëmendja ndaj blerësve:
“Mendoj se pronarët janë të vëmendshëm ndaj temave që preferojnë klientët. Organizojnë klube për miqtë e librit. Pra njerëzit nuk vijnë vetëm për të blerë libra, por sepse libraria shërben edhe si një qendër për komunitetin”.
Pas një periudhe kur thuajse u zhdukën, libraritë e pavarura kanë përjetuar rritje prej 35% nga 2009-2015.
Shoqata e Librashitësve Amerikanë thotë se shitjet në 2400 librari në të gjithë vendin u rritën 5% gjatë vitit të kaluar.
Një ndër to është libraria “Hooray for Books”, një dyqan librash për fëmijë në Aleksandria të Virxhinias që u hap 11 vjet më parë. Pronarja Ellen Klein mendon se çelësi i suksesit ka qenë inventari i larmishëm për këtë lagje me diversitet racor:
“Në këtë lagje ka plot çifte të përziera nga pikëpamja racore dhe përpiqemi t’u përgjigjemi nevojave të tyre. Na ndihmon fakti që tani shohim më shumë libra me personazhe të përzier nga pikëpamja racore”
Klientes Sarah Reidl i pëlqen të shfletojë librat e ndryshëm:
“Në internet nuk shfleton dot. Më pëlqen t’i marr librat në dorë e të kontrolloj çfarë më kap syri”.
Që të konkurrojnë në ditët tona, këto librari të vogla duhet të shesin më shumë libra se disa dekada më pare. Libraria “One More Page” tërheq klientë duke u ofruar shishe vere, apo çokollata që i marrin me vete bashkë me librin që blejnë.
“Mund të vish në librarianë tonë për aktivitete të ndryshme, për të takuar autorët, për të marrë një kopje me firmën e autorit,” thotë zonja Nebeker.
Autori Ed Aymar, me ndihmën e një interpretimi muzikor po ilustron temën e librit të tij të ri The Unrepentant.
“Një aktivitet i tillë ofron një perspektivë ndryshe, po ashtu ofron argëtim për audiencën,” thotë autori Ed Aymar.
“Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të dëshmuar se ne i vlerësojmë këto librari të pavarura dhe duam t’i ruajmë,” thotë autorja Angie Kim.
Për ata që e duan librin, libraritë e vogla bëhen nganjëherë si një shtëpi e dytë. /Voa