A mund të jetë “Vetëvendosja” faktor në Shqipëri?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

“Vetëvendosja” ka dorëzuar në datën 11 mars 2019 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dokumentacionin dhe kërkesën për regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri”. Kaq do të mjaftonte, që kur lajmet duket sikur reshtën, të fryhej me të madh fakti se: Vetëvendosja do krijonte një formacion politik në Shqipëri. Është e vërtetë që ky formacion nuk i fsheh ambiciet dhe pas ligjërimit të zgjedhur të njerëzve të saj, paçka kamuflimit të lehtë, kuptohet qartë se Qendra do të përgatisë në të ardhmen e afërt udhën për këtë formacion politik kosovar në Shqipëri.

Duhet sqaruar se “Vetëvendosja” ka vite që funksionon në Shqipëri “de facto”, ndaj përmendja e emrave të saj në rastin e drejtimit të Qendrës nuk bëri përshtypje. E vetmja përshtypje lidhet me kryetarin e saj, Albin Kurti, i cili tashmë mendohet se do të futet me ambicien e tij edhe në Shqipëri.

Vetëvendosja ka realisht përkrahës dhe dashamirë në Shqipëri. Madje, shumë më tepër më parë, kur pritshmëritë nga kjo parti ishin tejet të mëdha. Artikulimi logjik dhe formimi i Kurtit, forca e bazës së Lëvizjes, por edhe ligjërimet me pathos të anëtarëve të tjerë bën që ky formacion të ngjitej shpejt në jetën politike kosovare. Gjithsesi kurba ngritëse filloi pjerrjen kur “Vetëvendosja” u përball në vitin 2014 me një stad të ri, pasi për herë të parë bashkëpunoi me LDK-në, AAK-në dhe Nismën. Formacione që do të përplasej dhe do të bashkohej sërish. Vetëvendosja, përveç LDK-së, ishte partia me vizionin më të qartë për vijën e saj ideologjike, ndërkohë që theksimi i saj ideologjik dhe radikalizimi i mëvonshëm bëri që struktura të kishte probleme. Në përplasjet që do të ndodhnin më pas brenda saj doli hapur problematika strukturore dhe lidhja e munguar me bazën. Paradoksi ishte se me të prej pak vitesh merrej vetë z.Kurti, kurse formacioni kryesohej “de jure” nga Visar Ymeri. Koha tregoi se partia kishte mbledhur shumë pakënaqësi, deri mbi z.Kurti që i pëlqente kulti, kurse mënyra sesi u etiketuan ata që formuan partinë tjetër tregoi se imazhit të Vetëvendosjes i kishte rënë dukja reale.

Analisti i njohur amerikan Serwer e trandi skenën politike kosovare pasi do ta etiketonte si më problematikja në Kosovë, një fakt që nuk justifikon sepse ajo asnjëherë s’ka qenë në drejtim të vendit, kurse formacionet e tjera për atë që i kanë bërë Kosovës, as nuk përmenden.

Sot, Vetëvendosjes i kanë dështuar me sa duket negociatat me LDK-në për një bashkëpunim afatgjatë, fakt që tregon se ndarjet janë të mëdha. Ideja e javëve të fundit për një koalicion parazgjedhor nuk u justifikua me ngadalësinë e frikshme dhe llogaritjet e LDK-së, ndaj VV u tërhoq. Ashtu si u tërhoq dhe nga mbështetja që i bëri Ramush Haradinaj për taksën ndaj mallrave serbe, pasi teorikisht pa se taksa nuk arriti ta ndante kryeministrin me Thaçin. Ndërkohë vazhdon të kundërshtojë Thaçin në idenë për korrigjimin e kufijve dhe shprehet në mbrojtje të kufijve kushtetues, citojmë një analist të njohur kosovar. Paradoksi është se pavarësia e Kosovës, në këta kufij, shpallur e bazuar në Pakon e Ahtisarit që VV e  kundërshtonte ashpër, tashmë ka mbrojtjen e kufijve të përcaktuar po në këtë pako.

Dhe, vimë te Shqipëria: Duket se Albin Kurti njihet pak në thellësi dhe aq më pak Vetëvendosja, por shumë më tepër në sipërfaqe. Duket se është një element i formës, që VV e kuron bukur, porse Shqipëria në këtë fazë të saj ka nevojë për një këqyrje realisht në përmbajtje, që Vetëvendosja nuk e mbush dot. Të paktën hë për hë. Po a do mundet të tërheqë në të ardhmen, nëse gjërat shkojnë mbroth dhe Qendra miratohet dhe krijohet partia, ndonjë personazh të njohur, që të ketë peshë? Kjo do të duket në strategjinë e saj në Shqipëri, por i vetmi element që partitë e këtushme duhet të tremben është se: Vetëvendosja po vjen në një mjedis krejt djerrë lënë nga politikanët tanë. Ajo po risjell në fokus bashkimin kombëtar dhe integrimin e përbashkët, boshllëkun real mes Kosovës e Shqipërisë, propagandën false qeveritare, mungesën e tregut të përbashkët ekonomik, mungesën e bashkëpunimit energjetik, e shumë elementë, që për hir të së vërtetë qeveritë e deritanishme të Shqipërisë dhe Kosovës nuk i kanë realizuar.

VV, vërtetë, di të penetrojë mirë në të tilla hapësira, kuptohet nëse do arrijnë të kenë një Albin të përkëtej kufirit, por nga e thëna në të bërë ka shumë udhë. Mbi të gjitha duhet një artikulim i qartë i asaj që duan të arrihet. (Javanews)

Share: