Shtatë filozofët më pak të njohur grekë, mësimet e të cilëve janë ende sot të rëndësishme

Kryesore Kulturë Libri

Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, janë filozofët më të njohur të Greqisë së Lashtë. Ndërkohë, ka shumë filozofë të tjerë grekë, leksionet e të cilëve, kanë vlerë ende sot. Ata kanë jetuar para dhe pas Sokratit, Platonit dhe Aristotelit.

Thalesi nga Mileti (624 – 546 PE.S)

Konsiderohet shpesh si filozof i parë i Perëndimit. Ai është i famshëm për ndryshimin e plotë të mënyrës, se si ne e shohim botën . Në vend se t’i drejtohej hyjnive për të shpjeguar gjërat e ndryshme rreth nesh, ai zgjodhi një qasje logjike. Thalesi përdorte matematikën në logjikën e tij, dhe sipas burimeve, e mati madhësinë e piramidës së madhe në Egjipt, dhe parashikoi madje një eklips diellor.

Teoria e tij kryesore, ishte ajo sipas të cilës, substanca kryesore e botës ishte uji, dhe se çdo gjë përbëhej dhe formohej prej tij. Pavarësisht se idetë e tij ishin të rreme dhe të vjetra, Thalesi ishte kurioz për botën dhe vendin e tij në të. Ai ishte personi i parë që çimentoi rëndësinë e të menduarit më thellë për jetën tone, dhe botën ku jetojmë. Sipas Thalesit, kjo na ndihmon të kemi një kuptim më të mirë se kush jemi.

Herakliti (535- 475 P.E.S)

Herakliti i Efesit, konsiderohet shpesh si një nga dy themeluesit e ontologjisë, studimit filozofik të qenies. Ai pati një vëmendje të madhe mbi këtë ide, duke e konsideruar ekzistencën , realitetin dhe vendin tonë në qendër të tij. Herakliti, ishte një nga filozofët e parë që mbronte konceptin se qeniet njerëzore kishin vullnet të lirë.

Ai mendonte se substanca kryesore e botës ishte zjarri. Prandaj, për shkak të gjendjes dinamike të zjarrit, bota ndryshon vazhdimisht. Thënia e tij më e famshme ishte:”Asnjë njeri nuk kalon dy herë në të njëjtin lumë, pasi nuk është i njëjti lumë, dhe ai nuk është i njëjti njeri”.

Ndoshta duhet ta kujtojmë Heraklitin për njohjen e lirisë individuale, si dhe për të futur idenë se ndryshimi i vazhdueshëm, është një pjesë integrale e jetës sonë. Kuptimi i kësaj mund të na ndihmojë të ecim një një botë gjithnjë e më komplekse.

Parmenidi (515 P.E.S- vdekja e panjohur)

Parmenidi i Eleas, kishte disa pikëpamje të kundërta me ato të Heraklitit. Ai besonte se e kaluara dhe e ardhmja janë të paravendosura, ndaj vullneti i lirë është një iluzion. Parmenidi, është një nga njerëzit e parë që reflektuan mbi teorinë e determinizmit. Ai thotë se gjithçka që ndodh në botë dhe me ne, është e përcaktuar nga ngjarjet e mëparshme, që janë jashtë kontrollit tonë. Prandaj, përderisa nuk kemi kontroll mbi jetët tona, nuk kemi një vullnet të lirë.

Sigurisht, kjo premisë është shumë e diskutueshme, dhe shumë njerëz në shoqërinë e sotme nuk do të bien dakord me të. Megjithatë, shpesh mund të ndjehemi të frustruar dhe të pafuqishëm, kur situata të caktuara nuk shkojnë ashtu siç e kishim parashikuar. Për pasojë, ne vuajmë për shkak të tij. Pranimi, që ndonjëherë ka disa gjëra që janë jashtë kontrollit tonë, mund të jetë rruga më e mirë e veprimit. Dhe Parmenidi mund të na kujtojë këtë.

Empedoklesi (494 – 434 P.E.S)

Një nga filozofët e parë grekë para-sokratikë, Empedoklesi prezantoi idenë e 4 elementëve: tokës, ujit, erës dhe zjarrit. Ai është gjithashtu i famshëm për deklaratën e tij se universi është ndërtuar rreth dy forcave.E para është dashuria, që bashkon gjithçka në univers, si një entitet unifikues. Dhe e dyta është lufta, që ndan çdo gjë.

Empedoklsi thotë që bota gjendet në një cikël të pafund dashurie dhe grindjesh. Kjo është gjendja e gjithësisë ku banojmë. Megjithëse ky është një koncept mjaft abstrakt, nuk është shumë e vështirë të shihet, se si koncepti themelor i kësaj teorie mund të transferohet në jetën tonë.

Zenoni (334 – 262 P.E.S)

I ardhur në Athinë nga Qipro, Zenoni ishte themeluesi i stoicizmit. Ai mësoi se si të jetohej një jetë e mire, që është e çliruar nga vuajtjet, duke qenë të vetëdijshëm për gjërat e këqija që mund të na ndodhin. Stoicizmi e inkurajon këtë gjendje mendore, dhe thotë se vuajtjet lindin sepse një person ka shpresa jorealiste rreth situatave në jetë.

Nëse jemi shumë optimistë, atëherë zhgënjimi dhe dështimi nga mosarritja e asaj që duam, mund të na shkaktojnë dhimbje të thellë. Zenoni inkurajoi një jetë pa shpresë jorealiste, dhe që të përputhet me realitetin e botës. Kjo është ajo që mund të na bëjë emocionalisht të qëndrueshëm gjatë periudha të vështira.

Diogjeni (412 – 323 P.E.S)

Diogeni ishte një avokat dhe praktikues i cinizmit, një shkolle e njohur mendimi në Greqinë e lashtë. Cinizmi ishte një praktikë e filozofisë, që mësonte se të jetuarit me virtyte, në vetë-mjaftueshmëri dhe në përputhje me natyrën, ishte çelësi për të pasur një jetë domethënëse; për të jetuar thjesht, të lirë nga pasuria material, dhe për të refuzuar dëshirat normale.

Diogjeni e mishëronte plotësisht atë filozofi. Ai thuhet se ka jetuar në një fuçi në rrugët e Athinës, duke jetuar në varfëri të plotë dhe lypur për të jetuar. Ndërsa praktikonte filozofinë e tij, ai gjithashtu do t’i kritikonte kalimtarët, dhe tregonte përbuzjen e tij për jetën e civilizuar.

Ndoshta Diogjeni mori një qasje ekstreme për të mësuar filozofinë e tij, dhe mund të duket mjaft i çuditshëm. Sidoqoftë, vizioni i tij i thjeshtë për mirëqenien, dhe të jetuarit e një jete pa gjëra materiale, është një këshillë që na vlen shpeshherë të gjithëve.

Epikuri (341- 270 P.E.S)

Themeloi një shkollë të filozofisë, që përfundimisht u njoh si Epikurianizëm. Ajo kishte të bënte me mësimet e tij mbi mënyrën se si të arrihet më mirë lumturia e vërtetë. Kjo konsistonte në ndjekjen e asaj që është e pëlqyeshme dhe që shmang dhimbjen.

Por, kjo nuk do të thotë ndjekje të ndonjë gjëje; por vetëm të kënaqësive që janë të moralshme, dhe që na japin sasinë e duhur të përmbushjes (pa vuajtje) të nevojshme, për të pasur një jetë domethënëse. Për ta bërë këtë, Epikuri mendonte se ne duhet të përpiqemi të jetojmë një jetë të thjeshtë. Ai vetë kishte pak rroba, dhe thuhet se jetonte vetëm me bukë, djathë dhe qumësht. Për të qenë vërtet i lumtur, ai na mësoi se gjithçka që na duhet është miqësia, një punë që na përmbush, dhe kënaqësia pa pasur nevojën e luksit.

Learning Mind – Bota.al

Share: