Bora Zemani është një nga moderatoret simpatike të ekranit shqiptar. Pak muaj më parë Borën e pamë të drejtojë spektaklin “Kënga Magjike” së bashku me moderatorin e njohur Ardit Gjebrea.
Pas këtij projekti, ajo zgjodhi të largohej nga ekrani për pak kohë, duke mos zbuluar vazhdimësinë e saj në të. Megjithatë, ditën e djeshme Bora ka treguar për të gjithë ndjekësit e saj në “Instagram” se projekti i saj i radhës lidhet me televizionin.
“Shumë shpejt do të vij me një format të ri, shumë të veçantë dhe të bukur. Mezi po pres, shihemi së shpejti!” shkruante ajo në postimin e saj të fundit. Por nuk ka vonuar shumë dhe prezantuesja e “Bar Skedina” ka zbuluar detaje nga programi i ri, që do e rikthejë në ekran.
Ndërsa mediat vlojnë për lidhjen e saj me aktorin e spektaklit të humorit “Al Pazar”, Bora Zemani tregon se tashmë lidhja e saj është bërë edhe më serioze. Gjithçka nisi pak javë më parë kur ajo i surprizoi të gjithë, pasi publikoi një foto me Donald Veshajn dhe vëllain e tij binjak, Romeon.
“Treshat”, shkruante ajo, duke na bërë të dyshojmë se mund të ishin duke punuar për një projekt të ri. U tha se treshja do të rikthehej në televizion me një show dhe, me sa duket, fjalët qenkan të vërteta. Vetë moderatorja ka konfirmuar përmes disa postimeve në “Instastory” se do t’i rikthehet televizionit, ndërsa ka etiketuar edhe dy vëllezërit në postimin e saj.
“Nuk po publikoj më nga përgjigjet tuaja se janë pa fund. Projekti i radhës ka lidhje me televizionin. Shumë shpejt do vij me një format të ri, shuuuumë të veçantë e të bukur. Mezi po pres… shihemi së shpejti!” ka shkruar Bora.
Në mars ajo iu rikthye edhe një herë çështjes së divorcit nga Vin Veli, lidhje nga e cila ka një djalë. Edhe pse kanë kaluar 2 vjet, e ftuar në “E Diell”, ajo foli për ndarjen e bujshme me Dj-in e njohur. “Sot pas 2 vitesh, mendoj se nuk ka ndarje të thjeshta, aq më tepër kur bëhet fjalë për familje, që ka dhe fëmijë në mes”, shprehej ajo.
“Atë periudhë e kam vuajtur shumë. Mund ta quaj edhe dështim nëse i referohem mënyrës sesi unë u edukova dhe e imagjinoja jetën. U zhgënjeva me veten sepse unë vetë jam rritur me një familje që janë marrë me dashuri e që po me të njëjtën dashuri më kanë rritur mua dhe vëllain”, vazhdonte rrëfimin e saj Bora.
“Gjithmonë e kisha imagjinuar që edhe vetë do të kisha një familje si ajo që isha rritur, por ky ishte mësimi që mora dhe nuk është e thënë që gjërat të shkojnë gjithmonë sipas planeve të parashikuara”, përfundoi ajo.
Edhe pse e zhgënjyer nga kjo eksperiencë, Zemani u shpreh se beson ende te dashuria si një romantike e thekur që është. Vetëm se kjo dashuri e re duhet të marrë parasysh dhe praninë e Arborit në jetën e saj, se fundja, siç e tha dhe vetë moderatorja, ai është jeta e Borës. Le të shohim se si do të vazhdojë historia e saj me Donaldin.
Burimi: Panorama Plus