Ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj në analizën e tij të përjavshme në News24 tha se për situatën aktuale duhet patjetër dialog mes palëve.
“Nuk ka më kthim pas nga opozita. Sepse nuk rihyn dot në parlament. Unë e fajësoj opozitën kur thotë se s’ka dialog. Dialog ka pasur në ’91 me Ramiz Alinë, apo në ’97 me Berishën, si nuk mund të ketë tani? Palët do të shkojnë te dialogu, por së pari duhet të pranohet se ka krizë. Këtu gabon Rama që nuk pranon se ka krizë politike në vend” konstaton Besnik Mustafaj.
Ndërkaq, ai thotë se edhe Basha duhet të jetë I kujdesshëm, kur të shkoj për dialog. “Jo dialog si I Bashës me Ramën në maj 2017, natën e pa transparencë. Duhet dialog me një platform përpara, madje edhe me ekipe negociatore” shton Mustafaj.
Për një nga njerëzit dikur të rëndësishëm në PD, por edhe si diplomat karriere, Mustafaj thotë se mund të ndërhyjë presidenti dhe ambasadat këtu për të ulur palët për dialog. “Nuk mund të presim nga jashtë. Unë do të doja të ishte Presidenti, por edhe ndonjë trojkë ambasadorësh mund ta bëjë këtë”.
Sa i përket kërkesës për largimin e Ramës, Mustafaj thotë se nuk duhet të jetë prioritet I opozitës. “Eshtë në rregullat e tyre që kryetari i partisë është edhe kryeministër. Nuk mund të diktohet kjo gjë nga opozita” tha Mustafaj.
Besnik Mustafaj kritikoi Ramën që nuk pranon realitetin. “Këtë gjë bëri edhe Vuçiç, presidenti serb, por ja që u detyrua të dekretojë në Serbi zgjedhjet e parakohshme” konstatoi Mustafaj duke u nisur nga zhvillimet e tjera në një vend me protesta në Ballkan.