Facebook tha se ka fshirë 103 faqe, grupe dhe llogari, të cilat, sipas rrjetit social, kanë qenë të lidhura me krahun e marrëdhënieve publike të ushtrisë pakistaneze. Shefi për siguri kibernetike i Facebook-ut, Nathaniel Gleicher, tha se “sjellja e koordinuar joautentike” e këtyre llogarive ka shkelur politikat e Facebook-ut dhe të aplikacionit të tij, Instagram.
“Facebook zbuloi se llogaritë ishin të lidhura me punonjësit e Departamentit të Marrëdhënieve Publike të ushtrisë pakistaneze”, tha Gleicher.
Facebook është duke bllokuar gjithnjë faqe e llogari që bëjnë përpjekje të manipulojnë opinionin publik në gjithë botën. Më 26 mars, Facebook ka njoftuar se ka fshirë mbi 2,600 faqe të rreme dhe llogari që lidhen me Rusinë, Iranin, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.