BSH bleu 463 mln euro në 2018, por monedha pati rënien më të lartë

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në vitin 2018, ku pjesa më e madhe e kësaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros, amortizuar efektet e konvertimit të kapitalit të bankave dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe më pak për të rritur rezervat e saj valutore.

Ndërhyrjet kanë qenë të forta në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërsa në të parin dhe të katërtin, banka ka ndërhyrë në treg vetëm në funksion të rritjes së rezervës valutore, sipas publikimit më të fundit të saj për T IV.

Konkretisht, për rritjen e rezervës valutore, Banka ka blerë gjithsej në 2018-n rreth 124 milionë euro, sipas një kalendari të përcaktuar që në fillim të vitit.

Në qershor 2018, pasi euro kishte hyrë në një cikël të pandalshëm rënës, nga 134 lekë në janar në 124 lekë në ditët e para të qershorit, Banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, BSH bleu gjithsej 223 milionë euro, nga të cilat 71.50 milionë euro kanë qenë oferta për konvertimin e kapitalit të bankave.

Përveç këtyre ndërhyrjeve, gjatë muajit qershor, Banka e Shqipërisë, në marrëveshjet e këmbimit, ka blerë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) 116.22 milionë euro, në kuadër të konvertimit të një kredie për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

Ndërhyrjet në tremujorin e dytë dhe të tretë e stabilizuan kursin në nivelin e 124-126 lekëve.
Në tremujorin e katërt BSH sinjalizoi se ajo nuk do të ndërhynte më në treg. Të dhënat e publikuara tregojnë se Banka e Shqipërisë në periudhën tetor-dhjetor ka blerë rreth 46 milionë euro vetëm për objektiv të rritjes së rezervës valutore. Euro iu rikthye rënies dhe në 19 dhjetor të vitit të kaluar, euro u këmbye me 122.69 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët, që nga gushti 2008.

Ndonëse Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 460 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët, sërish kjo e fundit shënoi nënçmimin më të madh vjetor që nga 2004-a.

Për gjithë vitin 2018 kursi mesatar i këmbimit të euros ndaj lekut ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më pare.
Ndërsa efekti i konvertimit të kapitalit të bankave dhe kredisë së BERZH u amortizua nga ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë, të dhënat zyrtare të saj, të publikuara në bilancin e pagesave tregojnë se ekonomia formale nuk ka sjellë më shumë valutë në 2018-n. Deficiti i llogarisë korente, një tregues që mat transaksionet e hyrjes dhe daljes së valutës në vend, ishte -860 milionë euro në vitin 2018, me një përmirësim prej vetëm 6 milionë euro, një shumë e papërfillshme për të arritur të ndikojë kursin (transaksionet ditore vlerësohen në mbi 50 milionë euro). Madje vetëm në tremujorin e katërt, kur euro shënoi një rënie të fortë, deficiti i llogarisë korente ishte 364 milionë euro, duke arritur nivelin më të lartë që nga 2011-a!

Ndërhyrjet sipas tremujorëve
T I/ Në përputhje me objektivin e rritjes së rezervave valutore, Banka e Shqipërisë në periudhën janar-mars 2018 ka organizuar 2 ankande të blerjes së valutës. Në dy ankandet e organizuara në muajt shkurt dhe mars janë blerë 19.30 milionë Euro.

T II/ Në tre ankandet e organizuara me objektivin e rritjes së rezervave valutore janë blerë 43.50 milionë euro.
Në datën 5 qershor, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë me objektiv shmangien e çrregullimeve në tregun valutor, duke blerë 13.90 milionë euro dhe më tej, prej datës 6 qershor janë blerë 51.40 milionë euro nga bankat e nivelit të dytë, me objektiv frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit tëkëmbimit. Nga totali prej 108.80 milionë euro të blera nga bankat e nivelit të dytë gjatë tremujorit, 71.50 milionë euro kanë qenë oferta për konvertimin e kapitalit të tyre.

Në kuadër të marrëveshjeve të këmbimit, Gjatë muajit qershor, Banka e Shqipërisë ka blerë nga BERZH-i 116.22 milionë euro.

T III/ Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka blerë 129.85 mln euro, prej të cilave 114.55 mln euro të blera me objektiv moslejimin e forcimit të kursit të këmbimit, sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 6 qershor 2018. Pjesa tjetër prej 15.30 mln euro janë blerë nëpërmjet ankandeve për ndërhyrje me objektiv rritjen e rezervës valutore.

T IV/ Gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2018, Banka e Shqipërisë nuk ka kryer blerje në tregun valutor me objektiv moslejimin e forcimit të kursit të këmbimit. Ndërkohë, janë blerë nëpërmjet ankandeve 45.70 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. /Monitor/

Share: