Ngjela: Nëse PD ndryshon lidershipin, Rama ikën për 3 muaj

Aktualitet Kryesore Politikë

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” tha se nëse Partia Demokratike ndryshon lidershipin e saj, Rama nuk e ka të gjatë në pushtet. Ngjela tha se nëse PD ndryshon lidershipin, Rama rri vetëm 3 muaj në pushtet.

“Ju nuk e keni kuptuar që Rama është e keqja më e vogël për ndërkombëtarët? Sigurisht, kryeministri aktual është e keqja më e vogël. Ai mbahet në pushtet, për shkak se ka një opozitë të dobët dhe të mbuluar nga korrupsioni deri në grykë. Kjo e ndihmon jashtëzakonisht Ramën. Nëse PD vendos të ndryshojë lidershipin, të shkatërrojë Berishën dhe grupin e tij, vjen në pushtet për 3 muaj. E rrëzon Ramën për kaq kohë”, tha Ngjela.

Për Ngjelën, Berisha ka dështuar edhe më herët, prandaj nuk mund t’i besohet.

“Berisha ka dhënë prova se ka dështuar edhe më herët. Ai i bëri piramidat, ai e bëri 1997. Ju lutem, nëse Berisha qëndron në lidershipin e PD, kjo parti vetëm do të shkatërrohet. E ka katandisur në ditën më të zezë. Në rast se në PD ka vullnet për të përmbysur lidershipin e saj, atëherë po, vijnë menjëherë për pak muaj në pushtet. Sepse kështu siç janë, nuk i duan as amerikanët”, tha Ngjela.

Sipas tij, politikanët që kanë qenë aq gjatë në pushtet dhe kanë abuzuar me të, duhet që të përgatiten sepse do të përballen me Gjykatën Speciale, me akuza për korrupsion.

“Këta të opozitës, por edhe Rama sigurisht duhet që të përgatiten, të marrin avokatë të mëdhenj në Europë, me potencë, me influencë, që t’i mbrojnë. Kjo sepse kanë mbi kurriz krime dhe korrupsion mbi shqiptarët. Këta nuk e duan Amerikën. A e keni parë si dalin në rrugë dhe thonë ‘E duam Shqipërinë si Europa’. Kë gënjejnë këta. Opozita ka lidhje me rusët, me financimet e tyre. Amerikën do gënjejnë këta. Nuk gënjehet Amerika, jo”, u shpreh Ngjela.

Share: