“Brengë-dashuria”, poezi nga Louis Aragon

Kulturë Libri Reportazh / Profil

Për gjërat më të thjeshta çfarë di ti

Ditët ngjajnë me diej të grimuar

Çfarë ëndërrojnë lulet në terrin e zi

Ikin me tymin dhe zjarret e shuar

Brengë-dashuria çfarë të ka mësuar

 

Në skaj të dhomave të kam kërkuar

Atje ku llamba ende s’ishte shuar

Hapat tanë s’qenë më të bashkuar

As krahët tanë të përqafuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar

 

Pranë dritares sime të kam kërkuar

Më kot kopshtet janë të parfumuar

Në ç’vise në ç’vise je duke qëndruar

Në maj nuk ia vleka për të jetuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar

 

Çfarë di ti për pritjen e gjatë

Për emrin tënd unë kam jetuar

E njëjta dhe ndryshe ditë e natë

Dhe nga të ty vetëm unë i qortuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar

 

Teksa përhumbem edhe qëndroj

Si rremtar një çast për të pushuar

Do dish sa gjatë agonia vazhdon

Kur je duke ndjerë fundin e afruar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar

 

“Udhëtimi në Hollandë dhe poezi të tjera”

 

Përktheu nga frëngjishtja, profesor Ilia Lëngu

 

 

Share: