Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka vizituar parkun fotovoltaik në Topojë të Fierit, ku është informuar nga afër me investimin e realizuar.
Ky park është konsideruar si model i suksesshëm biznesi, pasi në të janë instaluar 5 licenca të cilat prodhojnë në tërësi 10 megavat. Investitorët kanë bashkuar 5 licensat, duke përdorur të njëjtin sistem monitorimi dhe të njëjtin rrjet shpërndarjeje, e duke ulur kështu në mënyrë të ndjeshme kostot e prodhimit të energjisë.
“Teknologjia që është përdorur këtu është e diversifikuar, një pjesë e teknologjisë është europiane, një pjesë është kryesisht module dhe invertrat janë nga kompanitë numër një në botë”, ka thënë Sadik Llapashtica, kordinatori i projektit, duke shtuar se ky është pari i park fotovoltaik në Shqipëri dhe në Ballkan në këtë nivel dhe në këtë standard.
Duke vlerësuar investimin e bërë, ministrja Balluku e cilësoi parkun fotovoltaik të Topojës në Fier, si një standard dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të interesuarit që duan të investojnë në këtë fushë.
“Parku fotovoltaik është një zhvillim energjetik shumë i rëndësishëm, dhe në një vend si Shqipëria ku ditët me diell ne i kemi bujarisht të ofruara, absolutisht është një fushë që duhet zhvilluar dhe duhet treguar gjithë serioziteti dhe vëmendja e duhur edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, u shpreh Balluku.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka në fokusin e saj sektorin e energjisë së rinovueshme. Në të këtë kuadër një javë me parë, ministrja Belinda Balluku, ju përgjigj interpelancës së thirrur nga përfaqësuesit e bizneseve që kanë instaluar fotovoltaikë për vetkonsum, kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes. Tema e interpelancës ishte nxjerrja e akteve nënligjore për miratimin e procedurës së lehtësuar për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme.
Për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit të ngritur nga prodhuesit fotovoltaik për vetkonsum, ministrja Balluku ka ngritur një grup të përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, OSHEE dhe grupet e interesit, për t’i dhënë zgjidhje sa më parë kësaj problematike të mbartur.