Artistja e njohur është zgjedhur në postin e rëndësishëm të drejtoreshës së Marketingut në televizionin më të njohur dhe më të madh informativ në vend, “News 24”, detyrë e cila i është besuar nga drejtuesit e këtij televizioni prej pak ditësh.
E kjo zgjedhje duket se është e duhura për Monika Lubonjën. Përveç aftësive menaxheriale në krye të Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja njihet për aftësitë e saj në marketing, kjo në sajë edhe të eksperiencave të mëparshme në këtë fushë.
Kështu, pasi e pamë për tre muaj në skenën e “Dance with me”, ku ra në sy për plastikën dhe perfomancat e saj në disiplinat e kërcimit, Monika me pranimin e ofertës ka nisur direkt punën për angazhimin e saj të ri. Vitin e kaluar, emri i saj u komentua për një çmim të rëndësishëm që ajo fitoi si aktore gjatë festivalit të komedisë “Koko Fest Festival”, në Korçë, nën drejtimin e Zamira Kitës.
Në këtë edicion të festivalit u bënë bashkë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Gjatë mbrëmjes, juria profesioniste ndau disa çmime të vlefshme për karrierën e aktorëve. Çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste” e rrëmbeu Monika Lubonja, për rolin në shfaqjen “Komedia që shkoi për dreq”.