Trump zyrtarisht njeh sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e okupuara të Golanit

Rajon/Botë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zyrtarisht ka njohur sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e okupuara të Golanit që ndodhen në Siri, raporton AA.

Trump ka nënshkruar deklaratën presidenciale duke vulosur këtë veprim gjatë takimit që kishte në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se territori i kontestuar është “një lokacion potencial për lansimin e sulmeve ndaj Izraelit”.

“Çdo marrëveshje e mundshme në të ardhmen duhet të përfshijë nevojën e Izraelit për të mbrojtur veten nga Siria, Irani dhe kanosjet tjera nga rajoni”, tha Trump.

Në Washington po përgatitej momenti që SHBA-të të pranojnë kërkesën e Izraelit për territorin sirian dhe Departamenti i Shtetit më herët këtë muaj nxiti pyetje rreth kësaj çështjeje kur e ndryshoi terminologjinë për herë të parë rreth Lartësive të Golanit, duke iu referuar si “të kontrolluara nga Izraeli”, në vend të përcaktimit të mëparshëm “të pushtuara nga Izraeli”.

Izraeli për një kohë të gjatë ka lobuar në SHBA për të njohur pretendimet mbi Golanin, por të gjitha administratat e mëhershme amerikane u kanë refuzuar thirrjeve.

Netanyahu falënderoi Trumpin për nënshkrimin e deklaratës, duke e quajtur “një ditë historike” që thekson fitoret e Izraelit në luftërat e viteve 1967 dhe 1973.

“Përderisa Izraeli i fitoi dy luftërat, ne duhej të prisnim rreth gjysmë shekulli përderisa ky moment këtu në këtë hapësirë të transformoj fitoret ushtarake në fitore diplomatike”, tha Netanyahu.

Share: