Shkarkimi/Panuçi akuzon: Jeni të mësuar me cirk! Por, në ikje e rregullon

Sport

Christian Panuçi është pushuar nga puna pas dështimit të radhës, kundër Turqisë, duke u larguar me një bilanc mjaft negativ dhe duke u bërë trajneri i parë në historinë e kombëtares sonë që ofendohet në kor nga tifozët, në dy ndeshjet rresht për më shumë.

Pas shkarkimit Panuçi nuk pranoi të flasë, do të duhen disa ditë qetësi dhe ndoshta ish-trajneri ynë do të zbrazë dufin në mediat italiane, por ndërkohë menjëherë pas ndeshjes në konferencë për shtyp italiani lëshoi disa deklarata të rënda.

“Tifozët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer dhe ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj skuadrës apo trajnerit, kur loja dhe rezultatet janë të dobëta. Dorëheqjen nuk e jap. Në 30 vite në futboll nuk kisha parë të kritikohej një trajner për faktin se dëshiron të respektojë rregullat, të vendosë disiplinë.

Në Shqipëri jemi të mësuar me cirk“, tha ndër të tjera Panucci, duke u larguar me një akuzë të rëndë, që nuk na vjen mirë, por që qëndron plotësisht, sepse profesionalizmi dhe serioziteti janë “sëmundje” që ne i luftojmë me vendosmëri të paparë, raporton Telesport.

***

Panucci është larguar me avionin e parë për në Romë, mëngjesin e së shtunës. Përpara nisjes, në një intervistë për Top Channel, Panuci zbardh vendimin e presidentit Duka.

“Ishte një vendim i presidentit dhe unë e pranoj. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë.

Punova në qetësi të plotë falë presidentit Duka, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi që të më largojë.

Ishte diçka shumë e rëndësishme që të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye i detyrohem të gjithëve një FALEMINDERIT”, tha Panucci për Top Channel.

Trajneri nga Roma e udhëhoqi kombëtaren shqiptare për 15 ndeshje, nga të cilat 9 humbje, 4 fitore dhe 2 barazime.

Bilance të cilat kanë sjell herë pas here ofendime të tifozërisë ndaj trajnerit.

“Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast unë jam përgjegjës.

Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt vuaj edhe unë. Gjithsesi kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët.

I kam falendëruar sot në mëngjes të gjithë lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit.

Uroj që të bëjnë gjëra të mira do të jenë gjithmonë në zemrën time”, shtoi ish trajneri i kuqezinjve.

Pyetjes nëse kjo skuadër ka shanse për të bërë më mirë dhe a ishte ky vendim i duhur, Panuci i përgjigjet…

“E uroj këtë. Shpresoj që ky të jetë një vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”.

Share: