70 vjet më parë u pushkatua Vinçens Prenushi

Histori Kulturë

Vinçens Prenushi u pushkatua 19 mars të 1949 pasi nuk iu përgjigj kërkesës së diktatorit Enver Hoxha për të krijuar një kishë kombëtare antagoniste me atë të Romës.

Imzot Vinçenc Prenushi u arrestua në 1947 nga komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949.

Vinçens Prenushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885 në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Ishte eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes, ka përkthyer romane nga Wisman, Sinkieviç, Weber dhe Pelico. Prindët e tij ishin Gjon e Drande Prenushi.

Është pagëzuar me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohur të Troshanit, ku, ju kushtua Urdhrit Françeskan (OFM). Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë dhe emrin At Vinçenc.

Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”. Ky botim pati një jehonë të gjerë në vend, por sidomos në emigracionin shqiptar.

Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme.

Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë shqiptarë, që tashmë gjenden në Kongregatën përkatëse të Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.

Share: