Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç për ndërhyrje të mundshme në veri.
Ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, deklaroi se “Prishtina është në telashet e veta dhe nuk e ka luksin të ndërhyjë në politikën në Serbi”.
“Ne nuk kemi si të ndikojmë në proceset e tjerëve. Të na lënë neve me i kryer punët e tona pa ndërhyrje. Ne i kemi telashet tona“, tha Haradinaj.
Ai ka folur edhe për idenë e ndryshimit të kufijve dhe taksën ndaj Serbisë.
“Tema e territorit, kufijve janë tema të së kaluarës. Nuk është mirë me i qit kushte njëri-tjetrit. Nuk mundet Kosova me qenë e kushtëzuar, në këtë rast në lidhje me tarifën“, tha ai.
Ndërsa lidhur me largimin e të rinjve nga vendi, kryeministri Haradinaj tha se për këtë fajet i ka politika.
“Normal që e kemi fajin, edhe unë e kam fajin. Fajet i ka politika, i kemi të gjithë“, tha ai.
I pyetur se kur do të merret seriozisht sektori privat, kryeministri Haradinaj tha se shumë shpejt do të ndodhë shqyrtimi i pagës minimale që do ta përmirësojë gjendjen e rëndë në këtë sektor.
Sa i përket punësimeve në baza partiake, Haradinaj tha se të gjithë kanë faj, por se më së paku të punësuar janë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“AAK ka një besim 10 për qind të popullit, por në institucione nuk përfaqësohen as 1 për qind. Mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk kemi qenë në pozitë që të abuzohet ngjashëm si deri më tani. Nuk është mirë me shit moral. Unë njoh pjesëtarë të AAK-së që kanë konkurruar me qindra herë. Jam kundër abuzimeve, megjithatë njerëzit më të diskriminuar në sektorin publik, janë AAK”, tha Haradinaj.
Sa i përket punësimit të djalit të Shkurte Fejzës në qeveri, dhe reagimit të kundër kandidatit të këtij të fundit se ishte më i kualifikuar, Haradinaj tha se nuk ka shumë informata.
I pyetur se si janë raportet me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se janë takuar vazhdimisht, dhe se raportet janë të mira.