Parlamenti mbulohet nga tymi, policia shpërndan me ujë turmën

Aktualitet Kronikë Kryesore

Situatë e tensionuar tek parlamenti ku ndodhen një pjesë e protestuesve. Protestuesit kanë tentuar të thyejnë kordonin policor por janë shpërndarë me gaz lotsjellës nga policia. Ata qëllojnë me sende të forta e gurë por policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.  Ndërkohë policia ka hedhur dhe ujë me bote për të larguar protestuesit.

Turma është ftuar për të marshuar rreth e rreth Kryeministrisë si simbolikë për rrethimin e qeverisë nga qytetarët. Pasi është sjellë dy herë rreth Kryeministrisë, turma ka vijuar drejt qendrës së kryeqytetit. Një pjesë është vendosur pranë parlamentit ku kanë tentuar të hyjnë brenda por janë ndaluar nga policia e cila ka hedhur gaz lotsjellës.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar nisi protestën para godinës së Kryeministrisë në orën 11:00. Kjo është protesta e pestë nga 16 shkurti por e dyta para kryeministrisë.

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.  Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.

Planet e masave të marra nga policia për sot janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar për 48 orë dhe ka dhenë leje deri në mesnatë. Ashtu si në 16 shkurt, PD kërkonte që leja për tubim që nistë në orën 11:00, por të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar. Policia e ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.

Në terren jane angazhohuar 1600 efektivë. Për të shmangur dëmtimin e godinës së Kryeministrisë si dhe hyrjen e protestuesve brenda, godina është veshur me llamarina në ambientet e jashtme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
Share: