Ka një vit që një koalicion i madh, CDU/CSU dhe SPD qeveris Gjermaninë nga Berlini. Çfarë ka bërë koalicioni për të reaguar ndaj krizave? Një vështrim mbi temat më të rëndësishme të politikës së jashtme.
BE dhe marrëdhëniet gjermano – franceze
Të dielën e kaluar kryetarja e partisë kristiandemokrate, CDU, dhe mbase kancelarja tjetër gjermane Annegret Kramp-Karrenbauer iu përgjegj ideve të Macronit. Me një politikë më të ashpër emigracioni dhe më shumë bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, por “centralizimi europian, etatizmi europian, komunitarizimi i borxheve, europianizimi i sistemeve sociale dhe rroga minimale, do ishin rruga e gabuar”, shkruan ajo në një artikull botuar në gazetë. Për Francën është po ashtu shumë e tepruar që ajo kërkon të ndryshojë selinë në Strasburg të Parlamentit Europian dhe kërkon që Franca t’ia lerë BE-së vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB. Bashkëpunimit më të ngushtë ushtarak i vihen përpara idera të ndryshme në politikën e armatimit.
Vështrim nga Lindja
Berlini ka probleme, që janë duke u shtuar, me disa shtete europiano- lindore, sidomos për temën e migracionit. Kundërshtimi i vendeve të Vishegradit – Polonisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Hungarisë, për ndarje propocionale të refugjatëve është më i madh se kurrë. Edhe tendencat autoritare të Hungarisë dhe Polonisë i shkaktojnë dhimbje koke koalicionit në Berlin.
Fillimisht Berlini donte që t’ i lidhte pagesat e BE, me sjelljen e mirë të këtyre vendeve, por nga kjo ide tani dëgjohet pak. Me sa duket qeveria gjermane kërkon të pengojë mundësinë që populistët e djathtë të kenë tema të tjera për të marrë sa më shumë vende në zgjedhjet europiane, që pritet të mbahen në maj.
Në marrëdhëniet me Rusinë, qeveria gjermane është duke bërë një ruajte të vështirë ekuilibri. Megjithë aneksimin rus të Krimesë dhe me armatimin në rritje, qeveria gjermane do që të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën, në mënyrë që të jetë në gjendje të luajë rol ndërmjetësimi në konfliktin e Ukrainës. Por rol luajnë edhe interesat ekonomike. Kështu për shembull Berlini kërkon të ndërtohet gazsjellësi Nord Stream 2, megjithë kundërshtimet e mëdha të Polonisë. Uashingtoni dhe Komisioni i Brukselit i ka ndaluar tani planet, në formën fillestare që kanë pasur. E hidhur për Berlinin është që kalimi i Francës në anën kundërshtare bëri të mundur që Komisioni të vinte dorë mbi projektin.
Afrika dhemigracioni
“Luftimi i shkaqeve që i kthejnë njerëzit në refugjatë”, mbetet tema kryesore e politikës së koalicionit qeverisës gjerman ndaj Afrikës. Me çështjen e refugjatëve, Merkel zbuloi se kontigjenti afrikan është një fqinj i rëndësishëm strategjik. Ajo vizitoi fillimisht Senegalin, Ganën dhe Nigerinë, si dhe Algjerinë dhe Marokun. Ajo luftoi atje në mënyrë të pazakontë për Paktin e Migracionit të OKB si “pranim të qartë të multilaterizmit” dhe theksoi se migracioni legal mund të krijojë mirëqënien. Po ashtu koalicioni kërkon të nxisë reformat në Afrikë nëpërmjet lehtësimit të investimeve.
Qeveri federale mbështet projektet e zhvillimit që kapin shumën e miliardave dhe përkrah prezencën e firmave gjermane në Afrikë. Edhe në fushën e politikës së sigurimit, Gjermania angazhohet më shumë në Afrikë, si dhe në Mali. “E gjitha kjo nuk do të vlejë për asgjë,” tha Merkel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, “nëse vendet nuk kanë perspektivë ekonomike”.
Marrëdhëniet transatlantike
Koalicioni i gjerë është për partneritet transatlantik me SHBA. Por zhgënjimi kundrejt qeverisë së Donald Trumpit është i madh në Berlin. Dalja e Uashingtonit nga marrëveshja për armët atomike me Iranin u vlerësua në Bruksel dhe në Berlin si sinjal se duhet forcuar aftësia e vet për të vepruar. Konfikti tregtar transatlantik shihet si i lënë mënjanë, por jo si i i zgjidhur. Merkel iu përgjegj në forumin ekonomik të Davosit, thirrjeve “America first” të Trumpit me: “Duhet menduar për interesat e të tjerëve, në mënyrë që të krijohet një situatë ku të fitojnë të gjithë”.
Azia
Politika gjermane ndaj Azisë përqëndrohet edhe me koalicionin e ri kryesisht në politikën ndaj Kinës. Por, pakti i koalicionit shikon jo vetëm “shanset”, por edhe rreziqet e këtij partneri të rëndësishëm strategjik. Projekti më i madh në fushën e infrastrukturës, “Rruga e Mëndafshtë”, vëzhgohet nga Gjermania dhe BE me sy kritik, për shkak të kushteve të investimeve që kanë mangësi nga pala kineze.
Krahas të drejtave të njeriut në një vit koalicion temë e re e rëndësishme është kthyer edhe siguria strategjike e teknologjisë së lartë kineze. Ndërtimi i rrjetit të telefonisë 5G, pritet të bëhet. Çështja nëse kompania kineze Huawei do të ngarkohet me ndërtimin e saj është një gjë që do të ndikojë në marrëdhëniet bilaterale. Kontrasti kundrejt “partneritetit të vlerave” që mbahet me Japoninë, nuk mund të jetë më i madh. Merkel shkoi në shkurt në Japoni, për të përuruar futjen në fuqi të marrëveshjes së tregëtisë së lirë midis Japonisë dhe Bashkimit Europian. Ajo e quajti marrëveshjen “shans të ri në çdo drejtim”. / DW