Rusia po përgatitet të shkëpusë vendin nga interneti, për të testuar sistemet e veta të sigurisë

Shkencë & jetë

Nga Peter Dockrill

Në një provë të jashtëzakoshme për pavarësinë teknologjike, mësohet se Rusia po bën plane për të shkëputun  internetin e saj nga pjesa tjetër e botës, me një eksperiment gjigant ‘unplugging’, që do të prekë mbi 100 milionë përdorues rusë të internetit.

Ky akt, për të cilin kombi është mburrur se e ka bërë për vite me rradhë, do të ishte një test i përkohshëm, i dizenjuar për të parë nëse një internet i izoluar rus, mund të funksionojë ‘offline’ në rastin e një sulmi kibernetik, që shkëput me forcë atë nga serverat e huaj.

“Ne jemi duke folur për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, e cila duhet të jetë e vendosur në territorin e Rusisë”- tha në vitin 2016 German Klimenko, ish-këshilltar i internetit i presidentit rus Vladimir Putin. “Ka një mundësi të madhe, të ndodhin ndryshime tektonike në marrëdhëniet tona me Perëndimin. Prandaj, detyra jonë është të rregullojmë segmentin rus të internetit, për ta mbrojtur atë nga skenarë të tillë”- theksoi ai.

Ky lloj mendimi, është tanimë në procesin e shndërrimit në një ligj, me një projekt-ligj të parë, që është paraqitur në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe që mori miratimin paraprak nga ligjvënësit rusë javën e kaluar. Sipas projektligjit, ofruesit rusë të internetit duhet të zbatojnë masa teknike në rrjetet e tyre, për t’iu kundërvënë kërcënimeve potenciale nga agresorët e huaj. Në fakt, izolimi i internetit rus (ndonjëherë i quajtur Runet) nga pjesa tjetër e internetit botëror, dhe sigurimi i të gjithë trafikut, do të kryhet nga sistemet e brendshme të vendit.

Në të njëjtën kohë, Roskomnadzor, agjencia ruse përgjegjëse për komunikimet, do të ketë kompetenca të reja për të kontrolluar dhe censuruar mediat e ndaluara në internet, proces që aktualisht kryhen nga ISP-të ruse në mënyrë të pavarur. Ata që e mbështesin këtë nismë,

thonë se këto lëvizjet vijnë si përgjigje ndaj agresionit të Strategjisë së re që qeveris SHBA-në mbi Kibernetikën, e cila u bë publike në shtatorin e vitit 2018.

“Thirrjet për të rritur presionin mbi vendin tonë, që po bëhen në Perëndim, na detyrojnë të mendojmë për mënyrat e tjera, që të mbrojmë sovranitetin rus në hapësirën kibernetike”- u shpreh muajin e shkuar Leonid Levin, kryetari i një komiteti rus mbi teknologjinë e informacionit.

“Shkëputja e Rusisë nga rrjeti botëror i internetit, është një skenar i mundshëm në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare”- theksoi ai. Por jo të gjithë në Rusi, janë dakord me këtë plan. Avokatët e të drejtave të njeriut dhe lirive të internetit, thonë se ky testim kërcënon të krijojë një tjetër distopi teknologjike, të ngjashme me projektin “Great Fireëall” të Kinës.

Edhe Unioni i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve në Rusi, e sheh këtë masë ekstreme, si shumë me kërcënuese për funksionimin e internetit rus, sesa çdo sulm kibernetik hipotetik.

“Shkëputja e Rusisë nga rrjeti global i internetit, do të thotë që ne jemi tashmë në luftë me të gjithë”- tha për BBC eksperti rus i internetit Filip Kulin. “Në këtë situatë, ne duhet të mendojmë se si do të rrisim patatet në një dimër bërthamor, dhe jo për internet”- u shpreh ai.

Pavarësisht nga këto rezerva, plani tejet i kontestuar, pritet të shndërrohet shumë shpejt në një ligj. Dhe megjithëse askush nuk e di se kur do të ndodhë shkëputja e madhe, ajo do të duhet të ndodhë në një të ardhme të afërt. Nuk është caktuar një datë e saktë, por sipas draft-planit, shkëputja supozohet të ndodhë para datës 1 prill.

ScienceAlert – Bota.al

Share: