Je anoreksike? Ja si ta dalloni

Shkencë & jetë

Dëshira për të arritur linja trupore perfekte përmes mbajtjes së dietave të rrepta, shpesh herë shndërrohet në armik të shëndetit. Kjo pasi jo vetëm nuk e ndihmon arritjen e linjave të bukura, por ndikon në shfaqjen e probleme psikologjike, të cilat nëse nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore në kohë mund të mbartin edhe pasoja fatale. Pjesë e këtyre shqetësimeve janë dhe të ashtuquajturat “çrregullimet e të ngrënit”, të cilat fatkeqësisht në ditët e sotme jo vetëm që po shfaqen në rritje, por ndikojnë negativisht në shëndetin e të rinjve. Ndër format më të shpeshta të çrregullimeve në të ngrënë janë anoreksia dhe bulimia. Si rrjedhojë e mungesës së informacionit mbi njohjen e këtyre çrregullimeve, në pjesën dërrmuese të rasteve trajtimi i tyre neglizhohet, çka e dëmton edhe më shumë individin, si pasojë e dëmtimeve që pëson shëndeti nervor. Përgjithësisht këto lloje çrregullimesh kuptohen si imazhe të tilla që kanë të bëjnë linjat e dobëta trupore, ndërkohë që janë edhe më të thella. Problemet që shfaqen në jetën tonë të përditshme, qoftë në familje, shkollë, shoqëri etj, rezultojnë të jenë edhe ndër faktorët e shpeshtë që mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të të ngrënit.

Anoreksia është një çrregullim psikiatrik mjaft serioz që prek kryesisht vajzat në fazën para adoleshencës, duke qenë se kushtëzohen edhe nga ndikimi i modeleve të bukurisë që u propozohen nga shoqëria. Në mendjen e një vajze në fazë rritjeje sfilojnë modele shumë të dobëta, gjë që e detyron këtë të fundit të heqë dorë nga ushqimi, ose të numërojë kaloritë e çdo kafshate që ha. Për të mos u futur në tunelin e kësaj sëmundjeje është mirë që të njihni shenjat e anoreksisë. Ja cilat janë ato:

  1. Vëmendja e tepërt te dieta

Dëshira për të rrëzuar disa kile dhe të fiksuarit pas dobësisë janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Por nëse në lojë futen diuretikët dhe laksativët në sasi të pakontrolluara, atëherë situata po përkeqësohet dhe është momenti për të marrë masa.

  1. Pesha trupore tejet e ulët

Trupi i njeriut duhet të arrijë një lloj peshe për të siguruar energjinë dhe aftësinë e veprimit, si mendore ashtu edhe fizike. Dobësia e përgjithshme është një shenjë që nuk duhet nënvlerësuar.

  1. Kreshma

Refuzimi i vakteve dhe ushqimit nuk është gjë as natyrale dhe as e shëndetshme. Mund të ndodhë një herë, por nuk duhet justifikuar nga qëllimi për t’u dobësuar sa më shpejt të jetë e mundur.

  1. Refuzimi i ftesave për të dalë dhe për të darkuar 

Shmangia për të darkuar nën shoqërinë e miqve ose njerëzve të dashur sidomos në darkë është shenjë që nuk vlerësohet aspak nga njerëzit, madje mund të merret si fyerje, pavarësisht se ju mund të jeni e fiksuar pas trupit dhe të qenët e dobët.

  1. Fiksimi për pamjen e jashtme

Shikimi i tepruar në pasqyrë, ndërrimi i vazhdueshëm i rrobave (duke zgjedhur kryesisht ato që janë më të gjera dhe që e fshehin pamjen e vërtetë) peshimi i herëpashershëm në peshore, janë pasojat e dëshirës së sëmurë për t’u dobësuar.

  1. Konsumimi i ushqimeve të zgjedhura

Bëni mirë që e zgjidhni ushqimin, por gabim është kur fiksoheni dhe nuk fusni në gojë asgjë me kalori dhe që e raciononi deri në minimum ushqimin.

  1. Menstruacionet që vijnë me vonesë

Një vonesë prej tre muajsh e ciklit menstrual mund të shkaktohet nga anoreksia nervore, prandaj që situata të mos rëndohet edhe më shumë, është mirë që të merrni menjëherë masa.

  1. Ndihma

Familja dhe miqtë janë të vetmit njerëz që mund ta ndihmojnë një person anoreksik, duke u konsultuar me një mjek specialist. Për t’i shpëtuar kësaj sëmundjeje duhet të merren masat e duhura në mënyrë që subjekti të shërohet sa më shpejt dhe të rifillojë një jetë normale e të shëndetshme, larg këtij modeli vrasës. Anoreksia nervore është një çrregullim që lidhet drejtpërdrejt me ushqimin, duke e reduktuar atë në maksimum dhe duke e shtyrë subjektin drejt një humnere. Është një sëmundje që prek më tepër femrat dhe mund të ndryshojë zhvillim normal të rritjes. Duke i njohur shenjat e sëmundjes, atëherë jeni në gjendje të kuptoni se kur është momenti të hiqni dorë nga dieta dhe të rifilloni jetën.

Anoreksia është një defekt cerebral

Një zonë e trurit me përmasa më të vogla se normalja dërgon pamje tonat të shtrembërua. Ky është zbulimi më i ri dhe shkaku kryesor i kësaj të keqeje. Sipas studiuesve mendohet të jetë kjo baza neurologjike e anoreksisë: shtrembërimi i pamjeve mendore që lidhet me figurën tonë, e nxit subjektin të heqë dorë nga ushqimi dhe të mos e pranojë veten. Duke zbuluar lidhjen mes strukturës trunore dhe anoreksisë nervore, tashmë mund të gjendet edhe trajtimi kurativ i kësaj patologjie.

Ky çrregullim mendor nuk shkaktohet vetëm nga faktorët psikologjikë, socialë e mjedisorë, por ka edhe një bazë biologjike. Fatmirësisht sot mund të studiohen kura të reja, duke u fokusuar te perceptimi i subjektit si e sheh ai veten e tij.

Ku dallon anoreksia nga bulimia?

Individët me bulimi nervore janë në kufijtë normal të peshës, megjithëse disa prej tyre mund të jenë pakëz mbi ose nënpeshë. Duket se para shfaqjes së çrregullimit të bulimisë nervore, individët tentojnë të kenë histori mbipeshe, krahasuar me moshatarët. Karakteristikat thelbësore të bulimisë nervore janë: “Prania e episodeve të vazhdueshme të ngrënit pa kriter dhe e sjelljeve të vazhdueshme të papërshtatshme për të parandaluar rritjen në peshë, përmes nxjerrjes së ushqimeve. Niveli i vetëvlerësimit tek individët me bulimi nervore ndikohet tepër nga pesha dhe forma e trupit. Për të justifikuar diagnozën, individi shfaq mesatarisht dy herë në javë për tre muaj rresht, të ngrënët pa kriter dhe sjellje të papërshtatshme kompensuese (nxitja e të vjellave). Episodi i  të ngrënit pa kriter, apo i cilësuar ndryshe “kriza bulimike” është përkufizuar si : Ngrënia në një periudhë të caktuar kohore, e një sasie më të madhe ushqimi, krahasuar me atë që shumica e njerëzve mund të hanë në atë periudhë kohe dhe në rrethana të ngjashme. Është e rëndësishme të vlerësohet konteksti në të cilin ndodh episodi.

Share: