Konflikti te “Petro Nini”, Rama: Policët si trup pa kokë

Aktualitet Kryesore Politikë

Konflikti i pronësisë pranë shkollës “Petro Nini” në kryeqytet ishte arsyeja e përgjigjes së kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e sotme. Në rubrikën “Përgjigjja ime”, Rama i është përgjigjur Emës, një qytetareje që kërkon reagim për familjet që po përzihen nga ato banesa.

Rama tha se qeveria nuk mund të bëjë gjykatësin e vendimit të gjykatës por se po bën reformimin e sistemit të drejtësisë.

Ai deklaroi më tej se pati skena të panevojshme dhe se sjellja e policisë nuk ishte as dinjitoze dhe as efikase por efektivët u sollën si trup pa kokë.

“E dashur Ema nuk e di çfarë di lidhur me ngjarjen e djeshme në pragun e banesës përveç videove dhe fotove të ofruara nga kanalet e portalet në kërkim të audiencës duke provokuar irritimin e njerëzve pa dhënë informacione.

Jam informuar me detaje për atë histori.
Jam kontaktuar nga banorët e asaj shtëpie kohë më parë. Pala tjetër e ka fituar me gjyq, ndërsa të zotët e kanë humbur të drejtën për të qëndruar në atë banesë. A është i drejtë vendimi i gjykatave? Ajo çka qeveria mund të bëjë dhe kjo qeveri është e para që po e bën është ta reformojë sistemin e drejtësisë dhe ta bëjë të denjë për fëmijët tanë. Ky çlirim kërkon mund, durim, kohë. Por ajo që kjo qeveri s’mund të bëjë është të bëjë gjykatësin e vendimit të gjykatë.
Vendimet e gjykatës me ligj ekzekutohen nga përmbarimi dhe kur kërkon ndihmën e policisë së Shtetit, policia është e detyruar ta ndihmojë. Policia dje zbatoi ligjin dhe pikë. Por nga ana tjetër siç u pa qartë edhe pse prania e policisë ishte kërkesë e ligjit, nuk ishte as dinjitoze dhe as efikase. U krijuan skena të panevojshme, me njerëz që shtriheshin në rrugë dhe policë që s’dinin ç’të bënin si trup pa kokë. një mësim i mirë për policinë e shtetit, reagimi dinjitoz i ministrit të brendshëm”, deklaroi Rama.

Rama kishte edhe një mesazh për kundërshtarët teksa u shpreh se qeveria nuk është e përsosur.

“Ishte dinjitoz edhe reagimi i drejtorit të Policisë së Shtetit që liroi nga detyra kreun e policisë së Tiranës. Ana tjetër e kësaj historie janë kanalet dhe portalet që e kthyen përmbys këtë histori. IKMT nuk ishte gjëkundi atje. Bashkia i ka ofruar banesë sociale asaj familje që ka humbur pronën me gjyq.  Qeveria nuk është e përsosur, por ka një virtyt, ka sytë dhe veshët katër për të parë dhe dëgjuar. Kur të mos më keni do më kujtoni, por deri atëherë ka yhyhy plot kohë për t’u dashur dhe për t’u zënë me njëri tjetrin, rëndësi ka të na bashkojë qëllimi i mirë”- tha Rama.

Share: