Kompania Boeing njoftoi se po përditëson softuerin e avionëve të modelit 737 Max, pas aksidentit të 10 marsit ku humbën jetën 157 veta. Ndërkohë, vendeve që ndalojnë përdorimin dhe fluturimin e këtij modeli të Boeing iu shton Singapori dhe Australia. Kompania tha se rreth 350 avionë 737 Max janë në përdorim në gjithë botën.
Boeing-u, prodhuesi më i madh i aeroplanëve në botë, tha se do të vendosë një softuer të ri në avionët e tij të modelit 737 Max. Dy të tillë janë rrëzuar në katër muajt e fundit.
Më 10 mars, një avion Boing 737 Max i kompanisë ajrore të Etiopisë u rrëzuar shumë shpejt pas nisjes nga Adis Ababa, duke shkaktuar vdekjen e të 157 njerëzve që ndodheshin në bord.
Fatkeqësia ka shkaktuar alarm rreth besueshmërisë së avionëve Boeing. Kompania, me seli në Çikago, tha përmes një deklarate se është duke punuar në një softuer të ri për kontrollimin e fluturimit.
Një tjetër avion i Boing me motor të modelit 737, u rrëzua në det në Indonezi në muajin tetor të vitit të kalaur, duke shkaktuar vdekjen e 189 personave në bord. Edhe në këtë rast aksidenti ajror u shënua vetëm disa minuta pas ngritjes në hapësirë.
Kompania tha se rreth 350 avionë 737 Max janë në përdorim në gjithë botën.
Përveç Etiopisë, edhe Kina, Indonezia, Meksika, Singapori dhe Australia kanë ndaluar së operuari me avionët Boeing 737 Max dhe gjithashtu fluturimin e këtij modeli në hapësirën e tyre ajrore.