Bushati: Rama ka ndjerë rrezikun nga mediat perëndimore

Aktualitet Kryesore Politikë

Analisti Andi Bushati e sheh vizitën 24 orëshe të kryeministrit Edi Rama në Itali dhe shfaqjen në disa media italiane për situatën në Shqipëri si një kundërbalancim ndaj ofensivës mediatike që po pëson në Perëndim.

Për të ilustruar këtë ai tha në emisionin “Të paekspozuarit” në News24 se kemi të bëjmë me një Europë apo Perëndim të dy shpejtësive: e para e burokratëve dhe e dyta e mediave. Sipas Bushatit, janë mediat që kanë identifikuar problemet reale në Shqipëri.

“Nga eksperienca 30-vjeçare nga ato që kanë ndodhur në Shqipëri kam kuptuar që kemi të bëjmë me një Europë apo me një Perëndim të dy shpejtësive. Perëndimi ose Europa e shpejtësisë së parë është ajo po them e burokratëve, diplomatëve e ambasadorëve, të cilët i qëndrojnë shumë besnikë raporteve që i çojnë eprorëve etj etj. Pra, këta janë shumë ngadalë në të lëvizur. Ka edhe një Europë të shpejtësisë tjetër, që është Europa e shtypit. Ajo identifikon më shpejt problemet dhe vë gishtin më shpejt mbi plagë. Ne e kemi parë, ndërkombëtarët akoma ishin duke e mbështetur Sali Berishën në 96-ën kur Andrew Gumbell shkroi ‘Regjimi i gangsterëve’ dhe gjithmonë ndodh që kancelaritë perëndimore adoptohen me ato që thotë media. Ju solla një rast nga ‘96 por po ju sjell rastin nga 2016-ta. Ndërkohë që ambasadori Lu dhe Guardia di Finanza e quanin histori suksesi, historinë e kanabisit, pra ishin në të njëjtën linjë me Ramën, në qoftë se e mbani mend, Rama thoshte në parlament, ‘si ka kanabis këtu, po të kishte kanabis do fliste Lu-ja me Vlahutin-in’ kjo qe mbrojtja. Erdhën të gjitha mediat ndërkombëtare, ZDF-ja që thatë ju, Liberationi nga Franca, gjithë shtypi italian dhe tha ‘keni problem, këtu jeni hambari i Europës për kanabis’ dhe u desh një farë kohe që kjo Evropa e shpejtësisë së parë, pra Evropa e diplomatëve dhe burokratëve të vinte tek mendimi i Evropës së shpejtësisë kryesore, ajo që është media, televizionet, gazetat. Prandaj unë them Rama ka ndjerë sot këtë rrezik”, deklaroi Bushati.

Ai tha se sot Rama, komunitetin ndërkombëtar, ambasadorët, Bashkimin Europian i ka me vete. “Kanë goditur qëndrimin e opozitës. Por çfarë po i ndodh? Kjo Evropa e shpejtësisë tjetër, mediatike po i vë re problemet. E patë atje, dilnin dhe përgjimet e Gjushit, dilte edhe Unaza e Re tek kronika gjermane dhe kjo është përsëritur në shumë media. Pra rreziku është që zhurma e aktit të opozitës po tërheq projektorët drejt Shqipërisë për të parë problemet reale të vendit ato që në raportet e diplomatëve dhe burokratëve arkivohen nëpër sirtarë dhe duhen 5 vjet të dalin. Këtë punë e bën media dhe gjithë reagimi i Ramës, qe për të krijuar një kundërbalancim ndaj ofensivës mediatike që po pëson në Perëndim”, tha ai.

Share: