A luftohet rrena me rrenë?

Editorial

Në New York është mbajtur një konferencë mbi shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë konferencë, siç njoftojnë mediat kosovare, kanë marrë pjesë diplomatë shtetesh të ndryshme, aktivistë të komunitetit shqiptar në metropolin amerikan – dhe Teuta Sahatqija, e cila drejton Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York. Ajo pati dëshirë të flasë për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë. Por kjo nuk qe e mundshme për të. Sahatqija u ankua se nuk është lejuar të flasë në këtë konferencë.

 

Autore e ndalesës: Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në OKB, diplomate shqiptare dhe e bija e Ismail Kadaresë, autorit të romanit «Krushqit janë të ngrirë», që – sipas webfaqes bukinist.al – është «dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981», e cila «u shkrua fill pas saj në vitet 1981-1983. Ndër të tjera ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare».

Ftohtë i madh, madje acar duket se po mban edhe në New York, veçanërisht në raportet ndërnjerëzore, ndërvendore dhe ndërdiplomatike mes të dërguarave të Tiranës dhe Prishtinës. Akuzat e diplomates kosovare janë komentuar gjerë e gjatë në Kosovë. Një politikan i LDK-së e ka qortuar Besiana Kadarenë për «sjelljet» dhe «veprimet» e saj, për qasjen skandaloze dhe të turpshme ndaj diplomates kosovare.

Besiana Kadare nuk ka vepruar si Nikita Hrushçovi më 1960, kur gjatë fjalimit para pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zbathi njërën këpucë dhe e vendosi në foltore në shenjë kërcënimi kundër imperailizmit. Diplomatja Kadare e zgjodhi Twitterin për të postuar një citat të shkrmitarit amerikan Mark Twain: «A lie can travel half way around the world while the truth is putting on its shoes». Kjo i bie: një rrenë pushton gjysmën e botës para se e vërteta t’i mbathë këpucët. Përkthyer në kontekstin aktual diplomatik shqiptaro-kosovar, kjo domethënë: Besiana Kadare po e quan gënjeshtare Teuta Sahatqinë.

Problemi që shfaqet me citatin që e ka postuar diplomatja Kadare është ky: nuk gjendet askund në veprën e Mark Twain. Në gjermanisht këtë citat e ndeshim në një version pak më të ndryshëm: rrena sillet tri herë rreth botës, para se e vërteta t’i mbathë këpucët. Në një shkrim të botuar në prill të vitit 2017 «New York Times» shpjegon se përse ky citat i Twain nuk është i vërtetë («That Wasn’t Mark Twain: How a Misquotation Is Born»). Në internet qarkullojnë emra të tjerë që mund të kenë thënë këtë që i mveshet Mark Twainit. Përmenden: Jonathan Swift, Thomas Francklin, Fisher Ames, Thomas Jefferson, John Randolph, Charles Haddon Spurgeon, Winston Churchill, Terry Pratchett. A është e mundshme që diplomatja Kadare të jetë përpjekur të luftojë një, sipas saj, rrenë me një rrenë tjetër?

Samuel Langhorne Clemens (1835-1910), më shumë i njohur me pseudonimin Mark Twain, ka qenë një amerikan me plot humor. Këto tri citate janë të sakta: «I dëshpëruar nga majmunët, zoti e krijoi njeriun. Pastaj hoqi dorë nga eksperimentet e tjera». «Nëse e kemi parasysh se të gjithë ne jemi të çmendur, atëherë është gjetur shpjegimi për jetën». «Në qiell nuk ka humor». Për dy diplomatet tona simpatike në New York më së miri përshtatet ky citat i Mark Twainit: «Përzemërsia është gjuhë që e dëgjojnë pëllumbat dhe mund ta lexjonë të verbërit». Kjo gjuhë do t’u bënte mirë të dyjave, pa marrë parasysh a shkojnë në konferenca apo nxjerrin dufin në Twitter.

Share: