Që nga mëvetësimi i shtetit shqiptar prej Perandorisë Osmane më 28 nëntor 1912 deri në vitin 2014, shumica e burrave që kanë luajtur rol të rëndësishëm në skenën politike të shoqërisë shqiptare, kanë pirë duhan.
Ndoshta “komunikimin” më intensiv me cigaren e ka pasur Ahmet Zogu (1895-1961).
Ata që e kanë njohur nga afër kanë vërejtur se gjatë gjithë kohës që ishte zgjuar ai nuk e shuante cigaren.
Për këtë anë të profilit të mbretit Zog, studiuesi Jason Tomes ka shkruar: “Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanprirës ishte gjithçka përveçse e shëndetshme”.
“Ai ishte një oxhak njerëzor”, kujtonte një reporter. “Skam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”.
Sipas këtij burimi, Zogu pretendonte se në 1920-ën e kishte zakon të pinte 250 cigare në ditë, pra i bie 15 cigare në orë.
Mbase duhanpirës të tjerë po aq të vullnetshëm mund të gjykojnë më mirë nëse një nivel i tillë konsumi duhani është fizikisht i mundur, por të gjithë janë në një mendje se ai pinte shumë duhan edhe sipas standarteve shqiptare.
Gazetarët me sy të mprehtë, për të kapur detajet, nganjëherë vërenin një parapëlqim për markat turke me aromë ekzotike, por të tjerë thoshin se ai s’ishte aq përzgjedhës për sa kohë diçka përmbante nikotinë.
Tymosja e duhanit me intensitet të lartë nga burrat e shtetit, nga politikanët shqiptarë me role të rëndësishme, rilevohej me dritë të veçantë simbolike në opinionin e shoqërisë shqiptare.
Përgjithësisht ndër shqiptarët ishin përhapur mendësitë:
“Ata që janë në krye të punës helmohen me duhan për të përballuar helmin e halleve të popullit”, “të jesh në krye të njerëzve që vuajnë nuk mund të mos gjesh ngushëllim te tymi i duhanit”, “ai që merret me shqetësimet e të tjerëve, nuk mund të mos i dorëzohet vesit të duhanit”, etj.
Familjarët, veçanërisht nënat, përjetonin dhimbje kur shikonin djemtë e tyre të angazhuar në politikë që nuk e shuanin asnjëherë duhanin.
Një dhimbje e tillë reflektohej në këshilla sa të zgjuara, aq dhe humane:
“Puno sa të mundësh për të tjerët, por pa e djegur veten me tymin e cigars”, “mos mendo vetëm për punën, mendo edhe për shëndetin që po ta helmon duhani”, “po nuk u ndave nga duhani nuk je as për vete, as për familjen dhe as për shtetin”.
Z.D “Lente të ndërveprimit simbolik”