Me 6 shkurt 1967, 52 vjet me parë, diktatori Enver Hoxha mbajti fjalimin më famëkeq, me të cilin niste revolucioni kulturor, kopje e turpshme e atij kinez dhe njollë e zezë në historinë e një Kombi që, duke qenë thellësisht besimtar, u shpall i pa Zot, madje i vetmi në botë. Në emër të luftës kundër zakoneve prapanike dhe mbeturinave fetare, shteti komunist shqiptar mori një vendim të përçudur e nisi sulmin për prishjen e kishave e xhamive, duke ndaluar me ligj predikimin e çdo lloj feje.
U rroposën këmbanaret e minaretë, u kthyen në gërmadhë viset e shenjta, u zhdukën shenjtorët nga kalendaret, e u cënua deri Kushtetuta e shtetit, së cilës iu shtua neni i veçantë, që e shpallte Shqipërinë “shtet ateist”.
Nisi në Durrës, beteja famëkeqe: në emër të një rinie, që ditën rrënonte tempujt e natën i kërkonte Zoti falje për krimin e kryer kundër Tij, për zhdukjen emrit të Tij nga jeta, për ta zëvendësuar me emrin e një aventurieri ballkanik, që ëndërronte të ulej vetë në fronin e Perëndisë. Viktimat qenë të shumta: biblioteka me libra të rrallë, ikona të vjetra të papërsëritshme, vlera arkitektonike e etnografike. Në atë pranverë të akullt, Shqipëria ngrohej në flakët e zjarreve, ndezur me një lëndë të veçantë: libra. Ngrohej a digjej? Kur shembeshin një mori ndërtesash, kur njeriu shqiptar bëhej më pak njeri, duke humbur shumë nga vlerat njerëzore e shqiptare?
Lufta kundër institucioneve fetare u kthye në luftë kundër vetë njeriut, kundër së drejtës së tij më fisnike, lirisë themelore, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër: asaj të fesë. Liria u mbërthye në hekura të kryqëzuara e në vargonj, për ata, që guxuan të deklarojnë se nuk e kishin ndër mend të adhuronin një idhull të ri, diktatorin, në vend të Zotit të popujve e të kombeve. Ishin klerikë e besimtarë, të vënë në shenjestër.
Ndërkaq radiot buçisnin, duke dhënë me bujë lajme rrënimesh: të faltoreve e të shpirit të njeriut, rrënime me pasoja tejet të rënda, që u duken qartë që në ditët e para, kur u rrënua vetë diktatura ateiste, e aftë për të lënë pas njolla kaq të zeza në historinë e kombit. Njolla e farsa, që kërkojnë rishkrimin e ndershëm e të paanshëm të kësaj periudhe të historisë së Shqipërisë. Kishat e xhamitë i lartojnë përsëri këmbanaret e minaretë e tyre drejt qiellit si “rrufepritëse”, siç do të shprehej dom Simon Jubani në Meshën e parë,më 4 nëntor 1990, sinjal i shembjes së vetë diktaturës, për t’i larguar rrufetë, që i këcënojnë gjithnjë popujt, kur humbasin shpirtin.