“Kryemadhi na la përshtypjen se nuk i bëhet vonë për integrimin”

Aktualitet Kryesore Politikë

Knut Fleckenstein raportuesi për Shqipërinë, pak përpara largimit nga Shqipëri, në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, jep detaje të reja për “debatet” mes eurodeputetëve dhe shefes së LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit që patën në selinë e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Ajo na la përshtypjen se nuk i bëhet shumë vonë. Kjo është diçka e re, pasi deri më tani ne kishim përshtypjen se partitë, paçka se përplaseshin me njëra-tjetrën, donin që sa më parë të shkonin në drejtimin e BE-së. Por, tani në këtë rast ndryshimi i qeverisjes merr më shumë rëndësi”, thotë Knut Fleckenstein. E ardhmja e negociatave për anëtarësim në BE, thotë Knut Fleckenstein, do të varet edhe nga ajo çfarë do të prodhojë politika shqiptare në javët në vijim. Knut Fleckenstein nuk pajtohet me qëndrimin e Lulzim Bashës i cili u shpreh se “integrimin e vendit në Europë e pengon Shqipëria si Kolumbia”.

Zoti Flekenshtein cili është komenti juaj i përgjithshëm për takimet që zhvilluat?

Fillimisht unë dhe të gjithë kolegët që përfaqësojnë 7 shtete u dakortësuam se procesi i reformave në drejtësi dhe Vetting-u po vazhdojnë. Kjo është me rëndësi për vendimin që do të marrë Këshilli i Ministrave të BE-së në qershor. Ne patëm ndjesinë e mirë që edhe për çështje të tjera, si lufta kundër korrupsionit, të paktën hapat e parë të dukshëm i shohim, po ashtu me luftën ndaj krimit të organizuar. Është një fillim. Kjo është ajo që ne prisnim dhe jemi të lumtur ta shikojmë atë.

A mendoni se Këshilli i Ministrave të BE-së në qershor do ta marrë një vendim apo kjo mbase do të shtyhet për në vjeshtë?

Unë nuk mund t’ju them ekzaktësisht këtë, pasi nuk jam anëtar i Këshillit, pasi vij nga Parlamenti. Ne jemi shumë të qartë që hapja e negociatave të ndodhë tani. Nga ana tjetër, varet edhe nga disa vende anëtare të cilët janë pak kritikë dhe s’janë të sigurta. Por mbi të gjitha, varet nga fotografitë që ne do të shohim, nga rrugët e Tiranës gjatë javëve të ardhshme.

Zoti Flekenshtein, gjatë konferencës për shtyp u shprehët se ishit shumë i zhgënjyer nga ajo çfarë zonja Kryemadhi tha në takim. Përse ky zhgënjim?

Ajo tha se ata e kishin marrë një vendim dhe duan të heqin këtë qeveri dhe kjo është një handicak për çeljen e negociatave. Ajo na la përshtypjen se nuk i bëhet shumë vonë. Kjo është diçka e re, pasi deri më tani ne kishim përshtypjen se partitë, paçka se përplaseshin me njëra-tjetrën, donin që sa më parë të shkonin në drejtimin e BE-së. Por, tani në këtë rast ndryshimi i qeverisjes merr më shumë rëndësi.

Ju zhvilluat një takim me kreun e Kuvendit. A është e vërtetë se në atë takim jeni shprehur se “zonja e parë e Shqipërisë nuk duhet të bllokojë procesin e integrimit”?

Është e vërtetë se unë mendoj me të gjitha ato që ndodhën në rrugë, ju duhet të keni në mendje se çfarë përshtypje prodhon tek ata të cilët duhet të thonë se tani duhet të çelim negociatat.

Pas deklarimeve tuaja, zoti Basha u shpreh se pengesa kryesore për integrimin e vendit në Europë është Shqipëria si Kolumbia. A ndani të njëjtin qëndrim?

Jo.

A shikoni dritë në fund të tunelit për këtë krizë politike të marrë një zgjidhje?

Unë shpresoj se me të gjitha ndasitë që kanë partitë politike dhe e marr shumë seriozisht atë që na tha zoti Basha, ata nuk duhet të harrojnë se përshtypja që lënë në Bruksel është gjithashtu me shumë rëndësi. Ata duhet të mendojnë se çfarë masash janë ok dhe cilat masa jo. Protestat janë një e drejtë fondamentale për partitë e opozitës, por ato të dhunshmet nuk duhet të ndodhin.

Çfarë i kërkuat zotit Basha, zonjës Kryemadhi dhe kryeministrit Rama kur i takuat?

Është gjithmonë e njëjta gjë. Ne nuk pëlqejmë bojkotin e Parlamentit, djegien e mandateve nëse është këtu me Partinë Demokratike ose në Bullgari me miqtë e mi. Kjo nuk është rruga që ne mendojmë se demokracia duhet të funksionojë. Fushëbeteja për një Parlament të zgjedhur dhe parlamentarët është Parlamenti. Çdo gjë tjetër mund të vijë si një shtesë, por s’mund ta zëvendësojë.

Share: