Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shprehur shqetësimin për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
“Në një shoqëri demokratike, Parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe diskutimit. Parlamentarët i përkasin parlamentit. Deputetët e opozitës të rishikojnë dorëheqjet e tyre dhe të kthehen në Parlament”, thuhet në deklaratën e raportuesve për monitorimin e Shqipërisë në Asamblenë e KiE, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly.
Në të njëjtën kohë, ata i bëjnë thirrje shumicës në pushtet që të sigurojë një hapësirë të përshtatshme për opozitën për të funksionuar dhe për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë dhe domethënës me te mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit.
“Të dyja palët duhet të përdorin forumin e parlamentit për t’u angazhuar, në mirëbesim, në një dialog të tillë në mënyrë që të kapërcehet stuhia aktuale politike. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje”, përfunduan bashkë-raportuesit.