Norbert Jokli, albanologu austriak me prejardhje hebreje

Gjuhësi Histori Kulturë Reportazh / Profil

Norber Jokl ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studjues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar i Universitetit të Vjenës.Lindi në Bzenec (asokohe Bisenz), Moravia e Jugut, sot Republika Çeke si biri i vetëm i një tregtari hebre. Përfundoi shkollën e lartë me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Mori këtu gradën e doktorit të drejtësisë summa cum laude më 23 qershor, 1901. Disa kohë veproi si stazhist ligjor…

Nga – Agron Alibali 

Në mëngjesin e një dite të ftohtë marsi, pikërisht 77 vjet më parë, më 4 mars 1942, dy oficerë të Gestapos do të trokisnin në portën e apartamentit të prof. Norbert Jokl në rrugën Neustiftgasse 67 në Vjenë.
Në kryerje e sipër të arrestimit, dy oficerët nazistë nuk mund të mos vërenin studion e vogël dhe modeste të profesorit të shquar, si dhe bibliotekën me mëse 3000 libra të rrallë dhe mijëra faqe dorëshkrimesh.

Trazimet në jetën e prof. Jokl kishin nisur rreth 4 vjet më parë, me “bashkimin” e Austrisë me Gjermaninë, kur Jokli ishte pushuar nga puna e tij si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës dhe prof. i Gjuhësisë atje.

Menjëherë filloi edhe beteja e miqve shqiptarë, në Europë e Amerikë për shpëtimin e tij. Në krye të përpjekjeve u vunë Faik Konica dhe Fan Noli. Synimi fillestar ishte dhënia e shtetësisë shqiptare për Joklin, në pritje të shpërnguljes së tij në Shqipëri.

Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Edhe pse studimet universitare i kishte kryer në drejtësi, Jokli kishte mbaruar doktoraturën në gjuhësi krahasimore, duke u specializuar në shqipen, gjuhët balltike e sllave dhe më pas u përfshi tërësisht në këtë fushë të rrallë të dijes.
Me punën e tij këmbëngulëse dhe njohuritë e thella në gjuhësinë krahasimore, ai kishte arritur përfundime shkencore me rëndësi të jashtëzakonshme në studimet albanologjike dhe të gjuhëve indoeuropiane.

Vetë Mbreti Zog e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Sipas prof. Mahir Domit, shteti shqiptar me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Mirëpo pushtimi fashist i Shqipërisë ndryshoi rrjedhën normale të jetës dhe të historisë. Prandaj, Jokli e mendoi seriozisht për të emigruar në Amerikë dhe për të vijuar punën atje. Dhe aty atij iu gjendën sërish Fan Noli dhe Faik Konica, edhe pse ky i fundit tashmë kishte mbetur pa punë. Noli madje përfshiu në përpjekjet për shpëtimin e Joklit edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe institucione të ndryshme, që ndihmonin studiues hebrenj të rrezikuar nga përndjekjet naziste.
Ndërkaq, autoritetet kolaboracioniste në Tiranë, të cilat e njihnin mirë dhe e respektonin së tepërmi personalitetin dhe punën e Joklit, i nisën atij ftesën e njohur të marsit 1941, ku i ofronin punësim si kryebibliotekar i Shqipërisë dhe i bënin thirrje të nisej pa humbur kohë.
Mirëpo Jokli ngurroi. Përse vallë?

Sipas gjetjeve të fundit, tri ishin arsyet kryesore: Së pari, Jokli ende mbante shpresë për kalimin përfundimtar në Amerikë. Mirëpo dera amerikane u mbyll tërësisht pas sulmit në Pearl Harbor në dhjetor 1941.

Së dyti, duket se ai ruante rezervë të ligjshme ndaj autoriteteve kolaboracioniste në Tiranë. Kur vetë bashkëvendësit e tij nazistë në Vjenë po e kërcënonin seriozisht, ç’garanci do të kishte që edhe fashistët shqiptarë të mos kthenin pllakën pas nguljes së tij në Tiranë? Dhe së treti, pengesë ishin edhe vetë biblioteka dhe arkiva e tij e jashtëzakonshme.

Jokli nuk kishte familje, as fëmijë. Ai kishte vetëm librat dhe punën e tij, të pasqyruar në botimet e dorëshkrimet e çmuara e të pafund. Kur zjarri bie në shtëpi, gjëja e parë dhe e vetme është shpëtimi i vetes dhe i familjes. Librat dhe dorëshkrimet ishin fëmijët e tij. Jokli nuk mund t’i linte ato pas.
Arrestimi më 4 mars 1942 ishte fillesa e mbarimit të Norbert Joklit. Data e 11 majit 1942 jepet zyrtarisht si dita e eliminimit të tij fizik në kampin nazist të shfarosjes në Maly Trostinec në Bjellorusi.

Siç na dëshmon prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën dhe dorëshkrimet e tij të çmuara.
Humbja tragjike e Norbert Joklit është ndër krimet më të përbindshme të nazizmit.

Në bazë të doktrinës juridike të cenimit të vazhdueshëm, krimi ndaj Joklit vijon edhe sot e gjithë ditën përderisa autorët nuk janë ndjekur penalisht dhe efektet e tij vijojnë edhe sot. Në mes të viteve 1950, Prokuroria Federale Gjermane hapi çështjen penale për vrasjen e dhunshme të prof. Joklit, ndërkohë që pasuria e tij bibliotekare dhe intelektuale ende nuk i është kthyer “popullit shqiptar”.

Duhet thënë se shteti shqiptar ka shprehur në vijimësi nderimin, por sidomos interesimin e veçantë për trashëgiminë e Joklit. Në vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit. Zyrtarë të lartë të kulturës shqiptare sot kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e një konference shkencore në nderim të Joklit, ndërkohë që Instituti “Çabej” dhe Shtëpia Botuese “Çabej”, në bashkëpunim me gjuhëtarë të shquar po përgatisin botimin në shqip të një ndër veprave më të rëndësishme të tij.

Një nismë private është ndërmarrë para një viti nga tre shtetas amerikanë për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së Joklit, në përputhje me vullnetin e tij. Mirëpo ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkrete institucionale për kthimin e plotë dhe strehimin e sigurt së të gjithë trashëgimisë së Joklit në Shqipëri. Por ku?

Para dy vitesh, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë transferoi pronësinë e ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nga Ministria e Kulturës për tek Bashkia e Tiranës. Gazetari dhe studiuesi Ben Andoni ka hedhur idenë që ndërtesa të transformohet në bibliotekë.

Vërtetë, pse të mos t’i kthehet sërish kjo ndërtesë në pronësi dhe administrim Ministrisë së Kulturës dhe të transformohet në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”, ndoshta si aneks i BKSH-së ose i Akademisë së Shkencave? Kësisoj, ajo mund të shndërrohet në qendër gjithëpërfshirëse depozitare, bibliotekare dhe arkivore moderne, multimediale, e shkencave dhe studimeve albanologjike, ku do të ruheshin për brezat në vijim jo vetëm pasuria intelektuale e Norbert Joklit, por edhe biblioteka të albanologëve të tjerë të shquar, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u mbeten familjeve pas vdekjes së tyre.

Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb. Prandaj do të ishte një akt i rrallë fisnik, qytetar dhe madje historik i Bashkisë së Tiranës, rikthimi i ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nën administrimin e Ministrisë së Kulturës dhe emërtimi e shndërrimi i saj në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”.

Share: