Dita e dytë e Akademisë së Medias ka vijuar sot me trajnimin e studentëve dhe gazetarëve të rinj me aspekte të rëndësishme për profesionin e tyre. Akademia e Medias konsiderohet si një nga trajnimet më serioze në fushën e gazetarisë, pasi iu jep mundësinë gazetarëve të rinj të ushtrohen praktikisht në proceset e ndryshme të punës në media. Ky trajnim realizohet në Shqipëri falë bashkëpunimit të Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, me gjigantin mediatik TRT, Ambasadën e Turqisë në Tiranë, si dhe me AKM Media.
Në pjesën e parë të trajnimit të mbajtur sot në mjediset e Institutit “Yunus Emre” në Tiranë u trajtuan strategjitë e realizimit të një interviste të suksesshme nga lektorja Jolanda Lila, duke u shpalosur të gjitha proceset e punës së gazetarit nga gjetja e kontakteve e deri tek hartimi dhe moderimi i bisedës. Përmes shembujve praktikë, studentët demonstruan edhe aftësinë e tyre në formulimin e pyetjeve. Ndërsa në pjesën e dytë të trajnimit, u ndoq me interes leksioni i hapur i dr. Ergys Mërtirit, i cili u qartësoi të pranishmëve ndikimet e rrjeteve sociale në opinion publik dhe lidhjen e tyre me gazetarinë.
Akademia e Medias organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe do të vijojë deri me 4 mars 2019, ku pritet të ligjërojnë edhe shumë lektorë të tjerë shqiptarë e të huaj.