ERVIN HATIBI
MËRZIA
Mërzia varfëron veç pjesë të trupit
Të cilat fshihen nën bust
Mërzia, piedestali që më larton
Kësaj rruge pa tradita, pa barrikada
Të pjek mërzia, mërzia, mërzia
Siç piqet një pikturë anitike, plasaritet verniku
Pluhuri mbi pikturë i josh qepallat të ulen
E tonet kuqërreme të burojnë nga mërzia
Prej pikturës e sajojnë dhomën e vetëvrasjes,
ku perdet u ulën
është dhoma e mirë e miqve, me veles
I je qepur në karrigie të rënde dhe nuk del kurrë
Nga titulli i librit, brenda të cilit sigurisht që ti ekziston
Nën emra të rremë e kujtesë të njëllojtë
Në një cep të bibliotekës do ta gjej të vjetër librin
Mërzia, mërzia
Merri gjymtyrët e mia e hidhi në ndonjë lojë
Ku veç mund të humbet
Veç të mos e prek me trupin
As të falem me to nuk dua
Ose i ndërroj gjymtyrët me flokët e mij
Ah, flokët e mij dy herë të prerë, aq të gjatë
Mes tyre gjendesha mes nje kopshti trëndafitesh ujitur pa gjak
Ku stolat këndonin me zë të harruar shatërvani…
Aty midis flokësh i shpëtoja njerëzisë
Tek me sy te mbyllur ecja e s’me shihnin
Kërkoj flokët e mij që qenë të verdhë
Po krejt ma thithnin të keqen dhe ma linin mua
Veç mërzira të mira
Po tani që pa flokë kam mbetur, pa njerëz kam mbetur
Mërzia
Është diçka e hidhur që nuk bën dot pa te më
Si edhe pa e quajtur pikëllim apo me fjalë më të ndera
është diçka që vërtet të kthen në bust
Barkun me qime e kofshët t’i fsheh e t’i ruan
Në ujë të mbyturish
Që t’i kesh për pleqëri
Tani që zhduka edhe flokët e shenjtë
një figurë e lojës me letra jam bërë
Duke buzëqeshur me një lule gazi në dorë
Me ca rroba të stolisura fort
Bust, bust spathi, si fant
Me dy kokë e katër duart me thika e gjethe të gjumit
Tanimë mërzia si një gjarpër pëllumb
Në një fole thurur prej flokësh të ngordhur
Ngroh si vezë dy kokat e mia
Njëra është për vrasje, tjetra për vetëvrasje.