Nga Veton Surroi
1.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë, por ja që ndodh për herë të parë dhe me të u ndesh Kosova javën e kaluar kur kandidati demokrat për president të Amerikës, Biden, shpalli një qëndrim kritik ndaj administratës së presidentit Trump, ndërsa ambasadori Grenell mbrojti qëndrimin e presidentit të vet duke e akuzuar Bidenin se po e shndërron çështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi në një çështje “të presidencialeve amerikane”.
Bideni vuri në pah se administrata e tanishme amerikane u përpoq të organizojë negociata në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, pa e koordinuar me BE-në duke ua dhënë kështu një mesazh shumë të qartë partnerëve evropianë. “SHBA-ja duhet të punojë bashkërisht me partnerët tanë evropianë, jo t’ua kthejë shpinën”.
Grenelli tha se Bideni bën atë që bën qe dyzet vjet, “më shumë fjalë dhe premtime boshe popullit të Kosovës dhe të Serbisë”. Për dallim prej Bidenit, Grenelli thotë se “administrata Trump mbikëqyri negociata të suksesshme të tri marrëveshjeve të veçanta mes Beogradit dhe Prishtinës për udhëtim në ajër, hekurudhë dhe rrugë automobilistike. Pra shkurt, presidenti Trump solli rezultate të pritura gjatë, ndërsa Joe Biden vazhdon të flasë sikur ka bërë gjatë dyzet vjetëve në Washington”.
2.
Dy gjëra kryesore më duket se nuk qëndrojnë dhe në paqëndrueshmërinë e tyre janë indikatorë të theksuar politikë.
Së pari, akuza ndaj Bidenit se është një fjalaman i kotë mund të shërbejë për diskreditim fushatash zgjedhore, por është krejtësisht e gabuar në fakte për sa i përket veprimit të tij politik në Ballkan. Joe Biden është ndër senatorët e paktë, shumë të paktë bile, që në vitet e hershme nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kishte përkushtim ndaj luftërave të ish-Jugosllavisë. Ndër demokratët ishte pothuajse i vetmi që herët artikulonte një politikë ndërhyrjeje në Bosnjë-Hercegovinë për të penguar gjenocidin dhe këtë nuk e bënte nga “baza etnike” e zgjedhësve: në shtetin e tij, Delaware, nuk ka boshnjakë-amerikanë. E as që ka shqiptaro-amerikanë, e megjithatë zëri i tij ishte një prej zërave prijës për parandalimin e gjenocidit në Kosovë. Politika e suksesshme e ndërhyrjes, prirë nga presidenti Clinton, nuk do të ishte e mundur pa “fjalët” e Bidenit dhe kolegëve të tij në Kongres, në të dyja anët e ndarjeve politike.
Së dyti, këto që ambasadori Grenell i quan negociata të suksesshme dhe arritje të tri marrëveshjeve janë në fakt nënshkrim të tri “letra qëllimesh” mes autoriteteve të rangut dytësor e terciar për të nxitur udhëtimin ajror, hekurudhor dhe rrugor. Ndërmjetësime të këtilla ka me qindra në kohë të UNMIK-ut; burokratë anonimë të cilëve edhe atëherë u është harruar emri kanë bërë këso “lehtësimesh” në kohën e tyre. Nuk ka gjë historike në to, e as në këtë të Grenellit.
Në shkallën matëse të historisë, Bideni është aty te ndërhyrja e NATO-s më 1999 dhe ndihma që Kosova të pavarësohet, ndërsa administrata e presidentit Trump te ftesa që një kompani low-cost gjermane të nënshkruajë një letër me të cilën premton se ka qëllim të shqyrtojë nëse do të fluturojë në vijën Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.
3.
Si një kosovar i angazhuar që ka bashkëpunuar dhe ka njohur pothuajse të gjitha administratat amerikane në kohë kritike, e kam fare të lehtë të kuptoj se dallimi në qasje mes Bidenit dhe administratës së presidentit Trump nuk është, siç shkruan Grenelli, dallim mes demokratëve dhe republikanëve. Në çështjen e Kosovës shënohet lart emri i presidentit Clinton dhe sekretares Albright – pra të administratës demokrate – të cilët e shpëtuan Kosovën nga gjenocidi. Por, kjo ndërhyrje qe produkt i një politike dypartiake, në të cilën njerëz të spikatur nga tabori republikan, si Dole apo McCain, ishin vendimtarë që të krijohet një konsensus amerikan për ta ndihmuar Kosovën. Dhe kjo qasje republikane kishte një shtyllë të fortë që nga presidenti Bush Plaku, i cili në ditët e fundit të pushtetit të tij e lidhi sigurinë e Kosovës me interes strategjik amerikan dhe ia dërgoi “kërcënimin e Krishtlindjes” Milosheviqit, të cilit ia tërhoqi vërejtjen që ndërhyrja e paprovokuar ushtarake e Serbisë në Kosovë do të ndeshej me përgjigje unilaterale amerikane.
Madje, u desh prapë një president republikan, kësaj here Bushi i Riu, për të udhëhequr fushatën për ndihmë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Pra, nëse nuk ekzistuaka një garë mes republikanëve e demokratëve për çështjen e Kosovës, çfarë është natyra e garës?
Nëse shërben për ilustrim vetëpërshkrimi i ambasadorit Grenell i të arriturave të administratës Trump në Kosovë – pra tri marrëveshjet e “letër synimeve”, atëherë gara është mes një qasjeje joserioze të administratës së tanishme dhe një qasjeje tradicionale serioze të administratave amerikane që nga rënia e Murit të Berlinit deri në shpallje të Pavarësisë. Politika tradicionale amerikane ndaj Kosovës – qoftë republikane apo demokrate – është përpjekur që të ndihmojë forcimin e konsensusit mes forcave politike kosovare, të ndërtojë një konsensus transatlantik dhe të projektojë caqe që do ta çojnë Kosovën përpara. Administrata Trump nëpërmjet ambasadorit Grenell ka nxitur polarizimin politik në Kosovë dhe rënien e Qeverisë gjatë pandemisë, ka legjitimuar nëpërmjet ambasadorit Bolton aventurën për këmbim territoresh, popullatash dhe pardonësh për krime të presidentëve Vuçiq e Thaçi dhe ka krijuar hendekun e madh e të paprecedentë mes SHBA-së dhe fuqive evropiane për të formuluar një politikë, e cila do të përmbyllë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.
Me këtë manifestim joserioziteti e vetmja gjë e vlefshme ishte zgjimi evropian nga komoditeti. Të mësuar tashmë mbi shtatëdhjetë vjet me sigurinë e partneritetit të superfuqisë amerikane, shtetet evropiane kanë tre vjet që rrinë duke mbuluar gojën në mosbesim kolektiv se çka do të prodhojë në cicërimën e tij të ardhme apo në konferencën për shtyp presidenti i vendit. Në listën e gjatë në të cilën gjendet kërcënimi se do ta largojë Amerikën nga NATO-ja apo sugjerimi që të hulumtohet mënyra e injektimit të dezinfektuesit të banjës në trupin e njeriut në mënyrë që të pengohet apo eliminohet koronavirusi, zhvillimi i një procesi negociator sekret për Kosovën duhej të ishte një alarm tjetër – ndonëse më i vogël – për BE-në dhe fuqitë evropiane. Gjatë gati dhjetë vjetëve BE-ja dhe fuqitë evropiane kanë shpenzuar energji të madhe negociatore për të shpallur, sikur Grenelli, arritje të marrëveshjeve historike sikur ajo e targave automobilistike që duhej të mbuloheshin me letërngjitës.
Joserioziteti i punës së ambasadorit Grenell qe i frytshëm, nëse për kurrgjë tjetër, për të treguar se sa joserioze ka qenë BE-ja për pothuajse një dhjetëvjetësh.
4.
Presidenti Trump e zhvilloi fushatën e tij të mëparshme zgjedhore me siglën MAGA (Make America Great Again) – (Bëje Amerikën sërish të madhe). Votuesit amerikanë asokohe vendosën se këtë e dëshironin dhe votuesit amerikanë, kësaj here kanë mundësi të vendosin se a u përmbush ky premtim zgjedhor.
Për njerëz në anën tjetër të Atlantikut, do të jetë me rëndësi shumë të madhe se cila sigël, cili premtim zgjedhor do të fitojë. Gjatë tre vjetëve të Trumpit, Evropa është ulur në tehun e karriges, sikur në një film suspensi, duke mos ditur se çka do të ndodhë në minutën e ardhshme amerikane. Nuk ka pasur në historinë e projektit amerikan për një “Evropë të lirë e të tërë” një moment historik të pasigurisë aq të madhe në marrëdhëniet transatlantike.
Për Kosovën, si vend që është lidhur edhe ekzistencialisht me Amerikën, parulla e Trumpit duket e çuditshme. Amerika ka qenë për Kosovën shumë e madhe, edhe kur presidenti Bush dërgoi kërcënimin e Kërshëndellave, edhe kur presidenti Clinton i priu NATO-s në çlirimin e Kosovës, edhe kur presidenti George W. Bush deklaroi se “u bë boll më, Kosova duhet të jetë e pavarur”. Ka qenë edhe është e madhe çdo ditë që shohim ushtarët amerikanë në “Bondsteel” apo rrugëve të Kosovës. S’ka si të bëhet më e madhe.
Ajo çka na ka munguar është një Amerikë me të cilën jemi mësuar të mbështetemi, një Amerikë e veprimeve serioze, ajo Amerikë të cilën jemi mësuar ta besojmë.
Ndoshta, pra, siç më propozoi një mik nga Shqipëria, po të pyeteshim ne në anën tjetër të Atlantikut se çfarë duhet të jetë sigla e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, do të duhej të ishte MASA, Make America Serious Again. Bëjeni Amerikën sërish serioze.