Roli i Kolegjit të Shën Adrianit në marrëdhëniet shqiptaro-arbëreshe dhe “peripecitë” e krijimit të këtij institucioni

Kulturë

Nga prof. Artan HAXHI dhe prof. Tefë TOPALLI

 

Arbëreshët e Italisë, të shpërngulur në Gadishullin Apenin para e pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, kanë arritur të ruajnë si gjënë më të çmuar, si trashëgiminë më të shenjtë të etërve të tyre, shenjën kryesore të kombësisë, gjuhën amtare, gjuhën e të parëve të vet. Në kolonitë e Kalabrisë së mesme e të Sicilisë kanë dalë kohë pas kohe prej klasës së këtyre njerëzve të kulturuar studiues e lëvrues të mirë të gjuhës shqipe, të cilët me veprat e tyre letrare përveç se i kanë dhënë popullit arbër ushqimin mendor e shpirtëror, i kanë shërbyer njëherësh edhe dialektit të vendit, duke e zhvilluar me gjithë dije e vullnet të mendjes, për ta ruajtur të pastër e të paprekur. Shërbimet që këta mjeshtra të palodhur i kanë bërë gjuhës e rilindjes së letërsisë shqipe me shkrimet e vlefshme të tyre, janë mjaft të mëdha.

 

 

Midis shkrimtarëve shqiptarë të Italisë nuk kanë munguar edhe përpjekjet për të hapur shkolla në arsimin shqip, me qëllim që të mbajnë të ndezur kultin për traditat e atdheut të moçëm e dashurinë për gjuhën amtare, të ruajnë të pastër karakterin e shpirtit të tyre, doket e zakonet e të parëve. Për këtë qëllim ata dëshironin t‟u jepnin bijve të tyre atë kulturë e edukatë që kërkonin kohët e atëhershme për të mos mbetur prapa vendasve me arsim e me qytetërim.

Kështu, kërkesat dhe dëshirat e tyre për t‟u integruar në jetën e vendit nisën më së pari në vitin 1577, kur Papa Gregori XIII mori nismën për hapjen në Romë të Kolegjit të Shën Atanasit, i cili ndër të tjera kishte qëllim që të përgatiste klerikë që do të ushtronin meshtarinë në ritin greko-katolik në vise të ndryshme të Italisë. Këtu përfituan edhe disa nxënës arbëreshë, mes të cilëve u shqua Shtjefën Rodota, bir i një familjeje të përmendur bujare nga Shën Benedikt Ulano-ja.

 

Pasi përfundoi studimet në kolegj dhe nisi ushtrimin e detyrës, ai filloi të mendonte për të themeluar edhe në Kalabri një kolegj të tillë, i cili do të mund të formonte priftërinjtë e ardhshëm edhe në kolonitë italo-shqiptare, por edhe me synimin që të mund të shërbente për arsimimin e popullatës së kësaj zone. Për këtë qëllim ai iu drejtua me një lutje Papës Klementi XI (papë me origjinë shqiptare, nga fisi Albani), kërkesë që u pëlqye nga Kryetari Kishës Katolike dhe u materializua, duke caktuar për këtë funksion ndërtesën e Badisë në katundin arbëresh të Shën Benedikt Ulanos. Por Papa ndërroi jetë shpejt dhe qëllimi nuk u realizua, deri kur në krye të Kishës erdhi një tjetër papë me origjinë shqiptare (nga nëna), Papa Klementi XII. Ndërkohë, vëllai i Shtjefën Rodotës, Feliçe, i cili kishte studiuar së bashku me Papa Klementin në Kolegjin e Propagandës Fide dhe kishte pasur rastin t‟i tregonte gjendjen e mjeruar të klerit italo-shqiptar të ritit grek në zonat me popullsi arbëreshe, i kërkoi hapjen e një kolegji të tillë. Kjo kërkesë gjeti vëmendjen e Papës, i cili, me 5 tetor të vitit 1732, me vendim të veçantë shpalli krijimin e kolegjit, që mori emrin Kolegji italo – grek “Corsini” (nisur nga mbiemri i familjes së papa Klementit XII) dhe drejtor i tij u emërua Feliçe Rodota, që mbante njëkohësisht edhe detyrën e Ipeshkvit të krahinës. Ai u mundua me mish e me shpirt të fuqizonte institutin jo vetëm nga ana ekonomike e financiare, por edhe nga ana pedagogjike e arsimore. Fatkeqësisht vdes i ri (në moshën 40 vjeçare), duke i lënë kolegjit gjithë trashëgiminë e tij, së bashku me bibliotekën e pasur. Brenda pak vitesh u pa se kolegji kishte përgatitur një gjeneratë studentësh elitarë që ra në sy menjëherë në fushë të dijes e të virtytit.

Drejtor i dytë i kolegjit u emërua Imzot Nikola de Markis, nga katundi Lungro, i njohur për kulturën e tij të gjerë, për t‟u pasuar më vonë nga Imzot Giacinto Archiopoli, prej Shën Mitër Korones, i cili e drejtoi me sukses këtë institucion për plot 18 vite. Më 1792 kolegjin e udhëhoqi Imzot Francesko Buljari, një njeri i shquar e i njohur për dije të thella e plot cilësi të përshpirtshme, që gjatë gjithë viteve, punoi plot zell e vullnet për përparimin dhe zgjerimin e kolegjit. Kështu, me ndërmjetësinë dhe mbështetjen e miqve dhe të bashkatdhetarëve të vet, Angelo Masci-t (këshilltar shteti aso kohe) dhe Pasquale Baffi-t (i njohur si latinisti më i madh i Evropës), ai arriti të nxjerrë në mars të vitit 1794 një dekret prej Mbretit Ferdinandi IVpër ndryshimin e selisë së Kolegjit nga Shën Benedikt Ulano në Mungaden Basiliane të Shën Adrianit, pranë katundit të Shën Mitrit dhe fshatit të Makias, ku gjendet edhe sot e kësaj dite.

 

E veçanta e kolegjit arbëresh të Shën Adrianit në Kalabri | Gazeta ...

 

Gjatë këtyre viteve kolegji pati arritje në të gjitha drejtimet, duke ngritur më tej cilësinë në drejtim të mësimdhënies, të edukatës e të disiplinës dhe duke pasuruar më tej edhe bibliotekën e tij. Për fat jo të mirë, në atë kohë turbullirash politike e sociale në Itali, Kolegji i Shën Adrianit u bë objekt sulmi e shkatërrimi të pashembullt, ndërsa drejtuesi i saj përfundoi në mënyrë tragjike. Kjo shkaktoi mbylljen e tij për gati 8 vjet me radhë.

Me 31 janar 1807, me vendim qeveritar kolegji rifillon punën nën drejtimin e Imzot Domenik Bellushit, nga Franscineto, një njeri me formim të gjithanshëm e mendjehollë, atdhetar e me kulturë të gjerë. Falë përkushtimit e vullnetit të mirë të tij, ai arriti të rigjallëronte kolegjin, duke u orvatur në mënyrë të posaçme për mbarëvajtjen didaktike e mësimore të institutit, me qëllimin e lartë të formonte një “djelmni me kulturë të shëndoshë e me karakter atdhetar të mirë2. Rezultat i kësaj pune ishte formimi i një brezi të denjë, prej të cilit dolën veprimtarë të shquar të Rilindjes italiane dhe edukatorë të brezit të ri, në mes tyre: arbëreshi i madh Jeronim de Rada, Antonio Marchiano (nënkryetar i kolegjit dhe pjesëmarrës aktiv i revolucionit të 1848), Vinçenc Dorsa (profesor i liceut, gjuhëtar, folklorist, shkrimtar e dijetar i njohur), gjeneral Domenik Damisi (një nga bashkëluftëtarët e Garibaldit), Domenik Mauro (poet, kritik letrar, studiues i njohur i Dantes), Paskal Skura (Ministër drejtësie në Napoli në kohën e Garibaldit), Guljelm Tocci (deputet i parlamentit italian e atdhetar i zjarrtë) etj.; të cilët lanë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare, në lëvizjen garibaldine, por edhe si drejtues të aftë e përfaqësues të arbëreshëve në parlamentin italian.

Pas vdekjes së Bellushit, drejtimin e kolegjit e merr Imzot Gabriel de Marchis, i cili edhe për aq kohë sa shërbeu, u shqua për ruajtjen e origjinalitetit të këtij institucioni. Më pas kolegji vihet nën drejtimin e prof. Anton Marchianoit nga Makji, njeri i ditur e me horizont, mësues i gjuhëve klasike, i cili i dha prestigj të ri kolegjit. Është koha e lëvizjeve kryengritëse në Itali dhe Marchianoi përfshihet, së bashku me mjaft nxënës të këtij kolegji, në luftë kundër Burbonëve, çka çoi në burgosjen e tij dhe, për pasojë, edhe mbylljen e kolegjit për dy vjet.

Më 1850 kolegji rihapet nën drejtimin e Vinçenc Rodotës, në kushte kur qeveria nuk e shihte me sy të mirë këtë institucion dhe kërkonte ta mbyllte këtë vatër kulture e atdhetarizmi, duke e quajtur “farka e djemenvet” (demonëve, djajve) dhe “çerdhe gjarpijsh” .

 

Më 1854 Mbreti Ferdinandi II jep urdhër që kolegji të mbyllet, me akuzën që “po përgatiste një djelmni kryengritëse”. Ndonëse vendimi nuk u zbatua (pas lutjeve të qeveritarit të vendit, Giuseppe Bellushi, mik i Ferdinandit), përsëri kolegji nuk funksionoi deri më 1858, kohë kur emërohet drejtues Imzot Agostino de Franco, i cili nuk shkëlqeu fort në punë të drejtimit të kolegjit dhe për këtë arsye, në këmbë të tij u vendos Arqipeshkvi i Rossano-s.

 

Një kthesë të madhe mori kolegji, pas fitores së garibaldinëve kundër burbonëve, për çlirimin e vendit e bashkimin e Italisë, kur vetë udhëheqësi Giuseppe Garibaldi, duke njohur meritat e luftëtarëve arbëreshë, vendosi të mbështeste zgjerimin dhe forcimin e kolegjit përmes një dekreti të veçantë.

 

Për një periudhë të gjatë kohe (gati 25 vjet) Kolegji i Shën Adrianit u drejtua nga Antonio Marchiano, i cili tashmë i ishte përveshur punës në liri të plotë, duke i dhënë një zhvillim edhe më të madh dhe një emër akoma më të mirë atij. Ky institucion me shumë traditë tashmë ishte shndërruar në një qendër kulture e arsimi, prej së cilës dolën djem të vlefshëm për kah zgjuarsia, guximi e mendjemprehtësia, me dituri e karakter, të zotë të mendimit e të gjykimit, që i dhanë zë të mirë kolegjit dhe arbëreshëve në veçanti.

 

Kështu ka ndodhur edhe më pas kur në krye të kolegjit u vu Imzot Zef Skiroi, nën drejtimin e të cilit dhe falë insistimit e punës së palodhur të Jeronim de Radës, në prill të 1892, u arrit të themelohej katedra e literaturës shqipe, duke u bërë vetë arbëreshi i madh (J. de Rada – shën. ynë) përgjegjës dhe lektor për ligjëratat mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe e kombit shqiptar.

 

Shekulli i ri, që përkon edhe me ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare këtej e përtej detit, do të shënojë edhe një kthesë të dukshme në të mirë të zhvillimit dhe të përvijimit të një fytyre të re të këtij institucioni në të gjithë treguesit, pasi më 1900 drejtues i shkollës (dhe Komisar Mbretëror) u caktua Angelo Scalabrini, i cili u përkujdes dhe arriti që Kolegji të zgjerohet edhe me shkollën normale, që u hap më 1905 dhe pati nxënës vetëm nga Shqipëria. Për këtë qëllim qeveria italiane e asaj kohe akordoi edhe bursa për nxënës shqiptarë të cilët do të formoheshin si mësues të ardhshëm.  Kështu, kolegji mori karakter mbarëkombëtar, duke u shndërruar në një qendër kulture, edukimi e arsimimi edhe për djemtë shqiptarë, në një kohë që vendi i tyre ishte nën pushtimin e rëndë e të gjatë osman./ https://redaktori.net

Share: