Nga Blerim Shala
Nëse këtu i kthehemi njërit prej atyre tipareve shumë të rëndësishme të kuptimit të politikës, kësaj here, ashtu siç zatën ka qenë edhe para lansimit të Procesit të Vjenës, dihet fare mirë që ana apo dimensioni ushtarak i raporteve Kosovë – Serbia ka marrë fund një herë e përgjithmonë.
Misioni i KFOR-it (i Paktit NATO), është në Kosovë, dhe kështu do të jetë, me gjasë, derisa Kosova, përmes PFP (Partneritetit për Paqe), do të krijojë raporte kontraktuale për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
Provokime të karakterit të sigurisë, me synim të destabilizimit të Kosovës, ka pasur viteve të kaluara. Thuaja të gjitha ato kanë qenë të lidhura me situatën në Veriun e Kosovës (e cila ende mbetet problem në vete, për shkaqe të njohura).
Rasti më i rëndë në këtë aspekt ka qenë ai ’Treni lara-lara’, i cili në muajin janar të vitit 2017, u nis prej Beogradit për në Mitrovicën Veriore, teksa ende Donald Trump nuk ishte betuar për ta marrë postin e Presidentit të SHBA-së.
Nuk ka kurfarë dyshimi që ky ka qenë test i përgatitur dhe i menduar mirë prej instancave më të larta politike, ushtarake dhe të sigurisë në Beograd, për të marrë vesh se mos ka ndodhë një ndryshim substancial i qëndrimeve të Washingtonit zyrtar karshi Kosovës, i cili pastaj do të reflektohej edhe në sjelljet dhe veprimet e BE-së dhe të Paktit NATO.
Po të lejohej të mbërrinte ky tren në Mitrovicën Veriore, do të ndryshonin ’Rregullat e lojës’ në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Dihet se si përfundoi ky episod tragji-komik me këtë trenin që ishte një ’bombë e kurdisur’ i Serbisë për Kosovën dhe Bashkësinë Ndërkombëtare.
Megjithatë, edhe në këtë fazën e bisedimeve finale në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, nuk do të duhej përjashtuar inskenimin e situatave provokuese në Veri të Kosovës, apo edhe në pjesët tjera të Kosovës të banuar me shumicën serbe. Edhe këto zhvillime do të mund të jenë, nëse mund të thuhet ashtu, ’përbërës’ të dialogut midis dy palëve.
Sidoqoftë, qysh tash pra, mund supozohet që bisedimet e instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, nuk kanë si t’iu shmangen asaj krye-temës së tyre, apo epilogut të këtij dialogu me arritjen e Marrëveshjes ligjësisht detyruese (që është një tjetër emër për këtë Marrëveshje), e cila do ta ketë si çelës të vetin çështjen e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.
Në anën tjetër, duket që te dy palët, apo dy ‘Përfaqësueset’ në këto bisedime të cilat do të ri-nisin me 27 qershor, në Shtëpinë e Bardhë në Washington, kanë bërë të ditur pak a shumë se cili do të jetë pozicioni fillestar në këtë dialog, i cili, nëse do të ketë vullnet autentik të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit, mund të kryhet edhe për disa muaj.
Në ato ‘selamet’ apo porositë publike që liderët kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit ia dërgonin njëri-tjetrit, dy vjet më parë, kur pritej të intensifikohej dialogu në Bruksel, për kohën që do të duhet të konsumohet apo shfrytëzohet për të mbërri tek Marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë përmendur dy afate: E tëra mund të merr fund për disa muaj, apo, edhe kurrë.
Janë përmendur pra dy ekstreme kohore.
Ky ka qenë në veçanti qëndrimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučićit.
Por cilat janë elementet kryesore të pozicionit të Prishtinës dhe Beogradit, para ri-fillimit të bisedimeve?
Pala kosovare vlerëson që Propozimi i Presidentit Ahtisaari (CSP, si njihet që nga muaji mars i vitit 2007, kur u prezentua në OKB), është një ofertë e ndershme për Serbinë, që ajo ta njeh pavarësinë e Kosovës. Teksa procesi i Vjenës që nga fillimi ka synuar t’i akomodojë të drejtat, nevojat dhe interesat e serbëve të Kosovës, por edhe të Kishës Ortodokse Serbe (SPC-së), edhe gjatë këtyre bisedimeve, por edhe në këtë kapitullin e Brukselit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, është kuptuar që Serbia synon që ta sigurojë dhe ta shtrijë disi sovranitetin në Kosovë, në hapësirat e banuara me shumicën serbe, duke bërë propozime që edhe në Vjenë edhe në Bruksel, kanë ecur në drejtim të territorializimit dhe entitetitimit (të krijimit të një entiteti të veçantë për serbët në Kosovë, i cili do të ishte zgjatim apo shtrirje e Serbisë në Kosovë), të drejtave të serbëve në Kosovë.
Në anën tjetër, BE-ja dhe SHBA-ja me siguri që do t’i kenë edhe ato Propozimet e tyre të cilat do të duhej t’i përbënin ato arsyet shtesë që Serbia ta njoh Kosovën.
Lidershipi i Serbisë pret nga BE-ja (lexo këtu: nga Gjermania dhe Franca), një saktësim të afatit apo periudhës kohore kur Serbia do të mund të bëhej shtet anëtar i BE-së.
‘Strategjia për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor (apo me WB6)’, e shpallur në muajin shkurt të vitit 2018, e cila si të mundshëm (por jo të sigurte dhe as të garantuar), përmendte vitin 2025 kur Mali i Zi dhe Serbia do të mund të anëtarësoheshin në BE, për shkak të pozicionit të njohur refuzues të Francës (dhe të disa shteteve të tjera të BE-së), nuk është më në fuqi.
Nuk duket që në rrethanat e tanishme, Parisi dhe Berlini do të mund të pajtohen për një kornizë kohore e cila do të mund t’i ofrohej Serbisë (dhe Malit të Zi), për anëtarësim në BE.
Pa një dakordim të tillë në mes të Presidentit Macron dhe Kancelares Merkel, Josep Borrel dhe i gjithë pushteti i BE-së në Bruksel nuk do të mund të bëjnë asgjë. Kjo dihet edhe botërisht.
Në anën tjetër, Emisari Special i SHBA-së për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Ambasadori Richard Grenell, duket që ia ka mësyrë të mobilizojë një Pako financiare amerikane të investimeve, e cila do të duhej të jepte një mbështetje të madhe përpjekjeve të dy palëve për ta arritur Marrëveshjen e madhe.
Një Pako të ngjashme të asistencës financiare dhe ekonomike, supozohet që do ta përgatitë edhe BE-ja, ku pos tjerash, pritet edhe organizimi i një Konference të donatorëve, e cila do t’i kushtohej kostos financiare të zbatimit të Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila në çdo variant, duhet të përfshijë në vete (në përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje), edhe mekanizmat mbikëqyrës dhe garantues ndërkombëtarë të implementimit të saj, teksa gjatë bisedimeve do të duhet të definohen qartë dhe saktë këta mekanizma.
Çfarë dihet në aspektin procedural ndërkombëtarë (dhe këtë zaten po na e përkujtojnë shpesh zyrtarët më të lartë të Federatës së Rusisë, siç ndodhi javën e kaluar me Sergei Lavrovin), është që Marrëveshja Gjithperfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të duhet të ’Ratifikohet’ edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur dihet që ende është në fuqi Rezoluta 1244 (10 qershor, 1999).
Kur dihet që Kosova synon ta bëjë Marrëveshjen me Serbinë, në radhë të parë sepse dëshiron të anëtarësohet në OKB, atëherë nuk ka kurfarë dyshimi që rrugëtimi i kësaj Marrëveshjeje eventuale, do ta ketë stacionin e vet të fundit New Yorkun, dhe selinë e OKB-së në East River.
Sidoqoftë, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, përmes një intervistë që ia dha Agjencisë së njohur Reuters, me 18 qershor (pasi priti në Beograd Shefin e diplomacisë ruse Sergei Lavrovin), apo tetë ditë para Takimit të parë në Washington, si asnjëherë më parë artikuloi qëndrimet e tij (teksa nuk duhet harruar që fjala e Vučićit, kur dihet fuqia e tij politike në Serbi, është e para dhe e fundit në Beograd), për fazën finale të dialogut.
Vučić e konstaton në këtë intervistë për Reuters që ai e di që atij mund t’i kërkohet (prej faktorëve ndërkombëtarë), që ta pranojë Kosovën, dhe që në vijim Kosova të anëtarësohet në OKB.
Por, kundërshpërblimi që Serbia do ta fitonte në atë rast, në trajtë të inkuadrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, për Vučićin është i pamjaftueshëm, apo, Serbia në atë rast do t’i thoshte ’Jo’ kësaj Marrëveshjeje me Kosovën.
Janë katër tema të tjera të cilat sipas Vučićit duhet të trajtohen në bisedimet e pritura në mes të instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, dhe madje, secila prej tyre do të duhej të jetë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshjeje (gjë që nënkuptohet, nëse njëmend synohet arritja e një Marrëveshjeje të plotë apo gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë).
Këto katër tema janë: Krijimi i Asociacionit të komunave të banuara me shumicën serbe, pastaj Statusi Special për kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe, energjia dhe financat (apo barazimi financiar në mes të dy shteteve).
Vučić nuk elaboroi më hollësisht se si i sheh ai adresimin dhe zgjidhjen e këtyre katër temave.
Kjo Listë e temave për të cilat Vučić është jetikisht i interesuar të bisedojë me autoritetet e Kosovës, vetëm sa mund ta shtojë kokëdhimbjen e Delegacionit të Kosovës, i cili edhe në variantin më të mirë të mundshëm ka hapësirë të ngushtë manovruese, për shkak të situatës së njohur në skenën politike në vend.
Sa dhe si është e polarizuar kjo skenë e dimë të gjithë. Prandaj, edhe nëse do të ndodhte ajo mrekullia (e cila me siguri nuk do të ndodhë), që Vučić dhe Beogradi zyrtar ta njohin Kosovën pa kurfarë kërkese substanciale politike (por vetëm me kërkesa të karakterit financiar dhe ekonomik, të cilat edhe ashtu do të mbulohen prej BE-së dhe SHBA-së), do të ishte çudi e dorës së parë nëse kjo Marrëveshje do të Ratifikohej në Kuvendin e Kosovës me të parën, apo ta tensione, ndoshta edhe me tronditje serioze të kësaj skene politike në Kosovë.
Sidoqoftë, për autoritetet më të larta të Prishtinës (Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Hoti), sikurse edhe për Administratën e Presidentit Trump dhe BE-në, me rëndësi të madhe është që sa më parë që është e mundur, qysh në fillimet e vazhdimit të dialogut, të mirret vesh a ka vullnet politik te Presidenti Vučić dhe pala serbe, që kryeçështja e kësaj faze finale të bisedimeve të jetë njohja reciproke në mes të këtyre dy shteteve.
Një pohim i tij i cili edhe në variantin e mirë do të jetë i kushtëzuar (’në varëshmëri nga çka do të jeni ju në gjendje të ofroni për njohje’, do të mund të thotë Vučić, e kjo ’ju’ është në këtë rast tërësia e bërë prej Prishtinës, Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit), por edhe si i tillë, do t’i hapte dyertë e bisedimeve të mirëfillta në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Dhe anasjelltas. Natyrisht.
Dhe kjo anasjelltas këtu do të mund të ketë edhe formën e një dialogu rraskapitës dhe zvarritës për të gjitha temat kontestuese, pa u marrë në krye të punës me temën kryesore, të emrit apo kodit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Mund të mirret me mend lehtë se çka do të ndodhte në atë rast.