Nga Blerim Shala
Pas një vendnumërimi të gjatë njëzet muaj të plota (që nga nëntori i vitit 2018, kur është zhvilluar takimi i fundit në Bruksel në mes të Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë), me 27 korrik në Shtëpinë e Bardhë (në Washington), do të vazhdojnë bisedimet në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe të Beogradit.
Takimi i parë midis dy Delegacioneve, ku në anën kosovare do të jenë Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Avdullah Hoti, teksa në anën serbe do të jenë Presidenti Aleksandar Vučić dhe Kryeministrja Ana Brnabić, do të ketë për nikoqir Emisarin Special amerikan për bisedime, Ambasadorin Richard Grenell, dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Me 17 korrik, në Paris, Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, do të jenë në ballë të Samitit tjetër të rëndësisë sipërore, në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.
Ky Samit është vazhdimësi i atij të Berlinit, të mbajtur në muajin prill të vitit të kaluar.
Pritet që menjëherë pas këtij Samiti që do të mbahet në kryeqytetetin e Francës, në kryeqytetin e BE-së, në Bruksel, Miroslav Lajčak, Emisari Special i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, do t’i prijë Raundit të parë të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të dy palëve. Sërish, niveli i pjesëmarrjes pritet të jetë i njëjtë: Apo, Prishtina dhe Beogradi do të jenë të pranishme në Bruksel me Presidentët dhe Kryeministrat e dy vendeve.
Synimi i përbashkët i të tri këto ngjarjeve madhore që pritet të ndodhin në tri javët vijuese, në Washington, Paris dhe Bruksel është një dhe i vetmi: Arritja e Marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtu ka një pajtim të plotë në mes të tri shteteve më të fuqishme të Perëndimit, apo, SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, si dhe të vetë kreut të Bashkimit Evropian.
Një tjetër qëndrim i përbashkët në këtë katërkëndëshin e kryeqendrave më të rëndësishme perëndimore është që Status Quo, që në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë është realisht në fuqi që nga vjeshta e vitit 2015, nuk është e qëndrueshme, apo, për më shumë, është e rrezikshme, si për këto dy shtete, ashtu edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Është pra kjo një dinamikë krejtësisht e re në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili një muaj më parë (në majin e këtij viti), ka hyrë në vitin e 23-të të tij, teksa në këtë fazën që është kualifikuar si finale (me synimin e qartësuar tashmë për normalizimin e marrëdhënieve), këto bisedime zhvillohen pak më shumë se nëntë vjet të plota, apo që nga muaji mars i vitit 2011.
Administrata e Presidentit Trump, gjë që u konfirmua sërish edhe në Letrën e përgëzimit që Mike Pompeo, Sekretari i Shtetit, ia dërgoi këto ditë Kryeministrit të zgjedhur pak javë më parë, Avdullah Hotit, e ka kodifikuar tash e sa kohë (prej dhjetorit të vitit 2018), emrin e Marrëveshjes së normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njohja formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është ai përfundimi i dëshiruar dhe i synuar nga Amerika.
Berlini, Parisi dhe Brukseli, nuk kanë dalë asnjëherë me një qëndrim të këtillë eksplicit dhe kategorik, megjithëse qëndrimet konfidensiale të tyre nuk dallojnë fare prej atyre të Washingtonit.
Kreu i BE-së, Gjermania dhe Franca nuk kanë fare dyshim se di do të duhej të ndodhte normalizimi i marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.
Në anën tjetër, Moska zyrtare, një tjetër faktor i pashmangshëm në këtë Ekuacionin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç përsëriti edhe Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës së Rusisë (ndryshe, i vetmi i ’mbijetuar’, si politikan dhe diplomat ndërkombëtar i periudhës së luftës në Kosovë, atëherë Lavrov ishte Ambasador i Rusisë në OKB), gjatë vizitës së tij të këtoditshme në Beograd, do të mbështesë çdo Marrëveshje me të cilën do të pajtohet Beogradi zyrtar, me kusht që ajo të verifikohet edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kur të mirren parasyshë të gjitha faktet e njohura për bisedimet në mes të dy palëve, përfshirë këtu një përvojë të madhe që ka hyrë në decenien e tretë të saj, konkludimi që shfaqet përtej çdo dyshimi është që është interes jetik si i Kosovës, ashtu edhe i Serbisë, që sa më parë që është e mundur, këto dy vende t’i dhënë fund një historie tragjike të raporteve në mes tyre, të cilat nisën në vjeshtën e vitit 1912, me një luftë okupuese të Serbisë, dhe që do të duhej të përfundonin me një Paqe afatgjatë (çlirimtare për te dy palët), e cila do të krijonte rrethana të pashoqe midis dy shteteve, me një bashkëpunim të mirëfilltë dhe fqinjësi të mirë.
Këtë interes të përbashkët e konstatojnë edhe SHBA-ja, BE-ja, Gjermania dhe Franca.
Megjithatë, kudo në politikë, e veçmas në këtë politikën ballkanike që tutje, në masë të madhe, mbetet penge e emocioneve të zjarrta, mitologjive të lloj-llojshme, vlerësimeve të gabuara që dyzojnë arogancën dhe injorancën, dhe interesat afatshkurtër zgjedhor, gjithmonë ekziston një hendek që duhet kaluar, e i cili ndanë këtë interes që shihet qartë dhe mënyrën se si duhet të arrihet apo të përmbushet ai.
Aktualisht, në këtë kontekst, pos një armiqësie të vazhdueshme politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, brenda vet skenave politike të këtyre dy vendeve ka tensionime të larta politike sa i përket vet mëkëmbjes së dialogut dhe epilogut të tij, gjë që është një barrë shtesë e rëndë për autoritetet e Prishtinës dhe të Beogradit që do të jenë në krye të këtij dialogu tash e tutje.
Nuk duket, së paku në rrethanat e tanishme, që shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi kanë vullnet dhe gatishmëri për të mirëpritur një Marrëveshje historike (siç cilësohet me të drejtë), në mes të këtyre dy shteteve.
Janë të njohura, në Kosovë edhe në Serbi, edhe mekanizmat kushtetues dhe politik të pranimit apo refuzimit të një Marrëveshjeje eventuale gjithpërfshirëse për normalizmin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Në Kosovë, kjo Marrëveshje do ta ketë fatin e secilës Marrëveshje të karakterit ndërkombëtarë, që nënkupton sigurimin e mbështetjes të së paku 80 deputetëve (apo dy të tretave të Kuvendit të Kosovës, por këtu nuk duhet të aplikohet ai mekanizmi i shumicës së dyfishtë parlamentare).
Është përmendur më parë edhe mundësia e organizimit të një Referendumi këshilldhënës në Kosovë për këtë Marrëveshje, por kormiza legale e Kosovës ende nuk mundëson këtë shprehje të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Siç dihet, Qeveria e tanishme e Kosovës e Kryeministrit Hoti, u votua me 3 qershor nga 61 deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Vet ky fakt dëshmon që përfshirja e opozës parlamentare në dialog (së paku e PDK-së, që ka 24 mandate deputetësh, sepse thuaja askush nuk beson që Lëvizja ’Vetëvendosje’ e ish-Kryeministrit Kurti ka çfarëdo interesi për të qenë pjesë e dialogut), është kusht pa të cilin nuk bën, nëse synohet suksesi në dialogn me Beogradin, dhe Ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në Serbi, autoritetet e atjeshme i kanë dy mekanizma obligativ për pranimin e Marrëveshjes: Sigurimin e dy të tretave në Kuvendin republikan (të cilin e përbëjnë 250 deputetë), dhe Referendumin ku së paku gjysma e votuesve që do të votojnë (teksa validiteti i tij kërkon pjesëmarrjen e së paku 50%+1 votuesve të regjistruar), do ta përkrahnin këtë Marrëveshje.
Megjithatë, nga ky pikëshikimi i sotëm, ende jemi larg për të mbërritur në stadin kur një Marrëveshje e nënshkruar nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë, me të cilën këto dy shtete do të krijonin marrëdhënie të mirëfillta të fqinjësisë së mirë, do të duhej të Ratifikohej nga te dy palët, me procedurat e përmendura më parë.
U tha tashmë që koha nuk është aleate as e Kosovës dhe as e Serbisë, teksa në anën tjetër, është vështirë e paramendueshme që problemet e mëdha në relacionet në mes të këtyre dy shteteve, do të adresohen dhe do të zgjidhen vet prej veti, apo që me kalimin e kohës, dhe me fuqizimin e demokracisë në Kosovë dhe në Serbi, do të lehtësohet e gjithë kjo ndërmarrje e mbylljes së një kapitulli 108 vjeçar të konflikteve dhe armiqësive të të gjitha llojeve, që kulmuan me luftën e viteve 1998, 1999.
Koha nisë t’i shërojë plagët dhe t’i menjanojë pasojat e thella të këtyre armiqësive, vetëm kur ka një Marrëveshje të mirëfilltë në mes të dy shteteve, e cila natyrisht do të duhet të gjejë mënyra t’i trajtojë në tri dimensionet, atë të drejtësisë, të politikës dhe të atij moral, krimet që janë bërë në Kosovë gjatë viteve të luftës, e të cilat nuk përjetuan trajtimin e duhur dhe të pritur në ICTY (Tribunalin e Hagës për krime lufte).
Në anën tjetër, demokracitë në Kosovë dhe në Serbi, si të tilla, (kur dihet edhe sa të meta i kanë ato), nuk mund dot të kontribojnë në shtensionimin e raporteve në mes dy skenave politike dhe të dy shoqërive, pa ditur se cili është epilogu i këtij dialogu dhe si do të kodifikohen marrëdhëniet në mes të dy shteteve.
Për më tepër, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, zhvillimi i demokracisë dhe ndërtimi i një pushteti të qëndrueshëm demokratik, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, është në varëshmëri të drejtpërdrejtë nga rezultati i dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Dhe jo anasjelltas, siç është menduar jo vetëm tek ne dhe në Beograd (në ato vitet pas rënies së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit), por edhe në kryeqendrat Perëndimore, në Washington dhe në Bruksel.
Supozohej asokohe që demokratizimi i brendshëm i Kosovës dhe i Serbisë, do të jetë ai hapi vendimtar në drejtimin e duhur kur dy pushtete demokratike dhe pro-perëndimore, do ta kenë më lehtë për t’ia shtrirë dorën e Marrëveshjes, madje edhe të pajtimit, njëri-tjetrit.
Doli që ky ka qenë një iluzion i madh politik në rajon dhe në Perëndim.
Kosova nuk mund dot të sigurojë një stabilitet të brendshëm dhe ndërkombëtarë (me anëtarësimin në OKB, në Paktin NATO, në BE, dhe në të gjitha organizatat e tjera), pa e bërë Marrëveshjen me Serbinë.
Serbia nuk mund dot të anëtarësohet në BE, pa nënshkruar këtë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse me Kosovën./gazetaexpress.com